Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën e aksionit opozitar dhe diskutimet mbi protestat e mundshme të PD-së. Ai theksoi se foltoret e mbajtura ditët e fundit nuk duhet të ngatërrohen me protestat reale të opozitës.
“Për ne nuk ka rëndësi numri i njerëzve në foltore, rëndësi ka hapësira,” u shpreh Bozdo, duke nënvizuar se foltoret po zhvillohen si pasojë e kufizimeve që opozita has në Kuvend. “Kur të ketë protestë, do e merrni vesh dhe do shikoni tjetër gjë.”
Sipas tij, seancat parlamentare po mbyllen me shpejtësi dhe opozitës nuk po i jepet hapësira e duhur për të shprehur qëndrimet e saj, çka ka detyruar PD-në të organizojë foltore dhe takime me qytetarët jashtë Kuvendit.
“Foltoret janë organizuar pasi në Kuvend hapësirat tona janë pakësuar. Seancat mbyllen dhe nuk na jepet hapësira si opozitë,” shtoi ai. m.p.
