Last Updated on 10/06/2026 by EL
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar kryedemokratin Sali Berisha dhe zyrtarët e tjerë të PD-së, pas ndryshimit të qëndrimit të këtyre të fundit, duke dalë nga ‘mbështetës të investimit në Zvërnec’ në ‘mbështetës të protestave që kundërshtojnë këtë investim’.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka publikuar një video me inteligjencë artificiale, ku duket një buf që shndërrohet në flamingo.
Krahas videos, Balla shkruan se bufi dhe zogjtë e tij (Sali Berisha dhe kupola drejtuese e PD) duan të duken se flamingo.
Më tej Balla tha se përfaqësuesit e PD-së kanë dërguar në Kuvend propozimet e protestuesve dhe Sali Berisha ka shkuar në Bosnjë, për të kërkuar mbështetje për protestën që kundërshton investimin në Zvërnec.
Sipas Ballës, protestuesit paskan caktuar Berishën si ‘ambasador’ për të kërkuar mbështetje, teksa me ironi shtoi ‘kush e ha bufin për flamingo?’.
“Pas mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve, mund ta themi me plot gojën se bufi dhe zogjtë e tij duan të duken si flamingo. Zogjtë e bufit na thane se kanë sjellë në Kuvend propozimet e protestuesve. Madje vetë bufi doli dhe tha se ka shkuar në Bosnjë (vende afër – se oqeanin s’e kalon dot) për të kërkuar mbështetje për protestën në mbrojtje të pelikanëve. Pra protesta paska caktuar bufin si ‘ambasador’ për të kërkuar mbeshtetje. Pyetja që lind: ore po kush e ha bufin për flamingo?”, ka shkruar Balla krahas videos.ET
