Last Updated on 30/03/2026 by Kesjana
Skënder Hita është miratuar nga qeveria si drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Hita është një person me karrierë në Policinë e Shtetit, pasi ka mbajtur detyra drejtuese në qarqe me sfida të konsiderueshme për sigurinë.
Një ndër këto qarqe është edhe Shkodra, ku Hita ka shërbyer dhe si zëvendësdrejtor i hetimit të krimit. Periudha në këtë detyrë konsiderohet si një nga etapat që ka konsoliduar profilin e tij profesional, duke qenë se zona ka qenë historikisht një prej pikave ku strukturat policore janë përballur me ngjarje të rënda kriminale dhe nevojën për një koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operacionale dhe hetimore.
Hita ka qenë po ashtu drejtor i policisë në qarkun e Durrësit. Edhe ky qark cilësohet si një nga zonat më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe lëvizjes së madhe të njerëzve e mallrave.
Gjatë periudhës së drejtimit të strukturave policore në Durrës nga Hita janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një ndër to përmendet zbërthimi i dëshmisë së vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, që hodhi dritë mbi disa ngjarje të rënda kriminale në Durrës, Tiranë dhe në zona të tjera të vendit.
Lajmin për emërimin e tij në këtë detyrë e dha ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Ky i fundit shprehet se Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Lamallari shprehet se nën drejtimin e tij “Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”.
Hita pason në këtë detyrë Ilir Prodën, i cili u shkarkua nga detyra pak javë më parë. Ndërkohë në garën për Policinë e Shtetit morën pjesë edhe 13 kandidatë të tjerë, të cilët ishin: Afrim Tafa, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Elidon Çela, Gentian Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, dhe Tonin Vocaj. /Kb
