Last Updated on 23/04/2026 by Anisa
Kuvendi rrëzoi me 74 vota pro kërkesën opozitës për interpelancë me ministrin e Bujqësisë Andis Salla lidhur me situatën në bujqësi dhe fondet IPARD.
Kërkesa nga ana e PD u bë nga deputeti i PD, Xhelal Mziu, i cili e cilësoi situatën në bujqësi si “kaotike” dhe në përkeqësim të vazhdueshëm duke e kthyer këtë sektor të rëndësishëm në një sektor të dorës së dytë. Sipas tij, kërkesa është refuzuar në mënyrë të padrejtë me argumentin se çështja bie në kompetencën e SPAK për shkak të hetimeve mbi fondet IPARD, pasi siç tha nuk ka konflikt kompetencash mes Kuvendit dhe SPAK, duke argumentuar se Parlamenti ka të drejtë të kontrollojë qeverinë, ndërsa SPAK heton individë.
Ai akuzoi mazhorancën se po përdor këtë situatë si alibi për të shmangur përgjigjet nga ministri i Bujqësisë.
Me 74 votat kundër të mazhorancës u rrëzua edhe kërkesa e dy deputetëve të Partisë Mundësia për interpelancë me ministrin e bujqësisë Andis Salla për fondet e IPARD. Edhe kërkesa e Kaprit dhe Shehajt u rrëzua me argumentin se çështja e fondeve IPARD është në hetim nga SPAK.
“U kam kthyer përgjigje për kthimin e kërkesës për interpelance, janë në hetim nga SPAK, për të mos ndërhyrje në organin e drejtësisë, kuvendi nuk mund të zhvillojë interpelanca për çështje që janë objekt hetimi penal”, tha Niko Peleshi.
“U bë më shumë se 1 vit që KE ka marrë një vendim për të bllokuar fondet e IPARD. Ndonëse çështja ka 2 vite në SPAK, nuk mund të prekim pafundësisht prokurorinë, sa kohë KE thotë nuk ka 190 mln euro për fermerët shqiptarë. Ministri u thotë shqiptarëve që në qershor do hapet IPARD III. KE thotë se s’ka vendimmarrje, pa kthyer mbrapsht 33 mln eurot e vjedhura, s’mund të ketë fonde të tjera për fermerët shqiptarë. Çështja është që qeveria s’po jep zgjidhje, janë 190 mln euro të mohuara, kush do mbajë përgjegjësi?”, tha Erald Kapri.
