Tony Wilson, një prej figurave më të rëndësishme të skenës muzikore britanike dhe bashkëthemelues i grupit të njohur Hot Chocolate, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Lajmi u bë publik nga familjarët e tij përmes rrjeteve sociale, ku fëmijët ndanë fjalë plot emocion, duke e përshkruar si një artist të rrallë dhe një baba të përkushtuar. Sipas mediave, ai ndërroi jetë në banesën e tij në Trinidad.
Wilson njihej si basist dhe autor këngësh, duke qenë një nga shtyllat kryesore të suksesit të Hot Chocolate, përkrah vokalistit Errol Brown. Së bashku, ata krijuan disa nga hitet më të dashura të muzikës pop dhe soul, si “You Sexy Thing” dhe “Emma”, që vijojnë të dëgjohen edhe sot.
I themeluar në fund të viteve ’60, grupi Hot Chocolate u kthye shpejt në një fenomen global. Ata hynë në histori si një ndër grupet e para britanike me përbërje kryesisht artistësh me ngjyrë që arritën sukses të madh edhe në SHBA. Me një stil që bashkonte elementë të soul-it, rock-ut, reggae-s dhe disko-s, grupi dominoi klasifikimet muzikore për vite me radhë.
Pas shkëputjes nga grupi, Wilson vijoi me projekte solo gjatë viteve ’70, duke publikuar disa albume, por pa arritur të njëjtin sukses si me Hot Chocolate. Në fund të viteve ’80, ai u tërhoq përfundimisht nga aktiviteti muzikor.
Megjithëse nuk është më fizikisht, kontributi i tij në muzikë mbetet i pavdekshëm. Veprat e tij vazhdojnë të jetojnë përmes brezave, duke e bërë emrin e Tony Wilson një pjesë të rëndësishme të historisë së muzikës botërore./mxh
