Dhjetëra mijëra familje mbetën sot pa energji elektrike në Letoni dhe Lituani, pasi dy vendet baltike u goditën nga stuhia më e rëndë e verës në historinë e kohëve të fundit.
”Energjia elektrike ende nuk është rikthyer në më shumë se 120 000 familje në Lituani”, tha operatori kombëtar të hënën në mëngjes, ndërsa mbi 87 000 ishin ende të shkëputur nga rrjeti në Letoninë fqinje.
Dy persona u vranë ndërsa erërat e forta që arrinin shpejtësi deri në 108 kilometra në orë përfshiu rajonin të shtunën, duke shkulur pemë dhe duke këputur degë që binin mbi linjat e energjisë, duke shkaktuar dëme në rrjetin e shpërndarjes.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan gjithashtu përmbytje në disa rajone, duke ndërprerë trafikun rrugor, trenat, fluturimet dhe shërbimet e transportit detar.
”Reshjet mesatare mujore për gusht u regjistruan brenda gjysmë dite në disa zona”, sipas meteorologëve.
Përpjekjet e pastrimit ka të ngjarë të zgjasin edhe disa ditë, me ndërprerjet e trafikut që pritet të vazhdojnë në zonat rurale, sipas autoriteteve.
Kompanitë e sigurimeve vlerësojnë se stuhitë kanë shkaktuar dëme me vlerë miliona euro./ mxh
