Last Updated on 26/09/2025 by adminfjala
Lëvizja BASHKË ka konfirmuar se do të kandidojë me kandidatin e vet për zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës. Deklarata u bë nga drejtuesi i lëvizjes, Arlind Qori, gjatë një prononcimi për new.fjala.al/.
Qori theksoi se kandidati i Lëvizjes BASHKË do të vendoset nga Këshilli Koordinues i Lëvizjes në ditët në vijim. Ai shtoi se lëvizja nuk ndan “karakter moral dhe qasje politike” me asnjë parti tjetër në vend, duke përjashtuar mundësinë e koalicioneve.
“Lëvizja BASHKË do të kandidojë vetë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Kandidati ynë do të vendoset nga Këshilli Koordinues i Lëvizjes në ditët në vijim. Nuk kemi të përbashkëta në karakter moral dhe qasje politike me asnjë parti tjetër në vend. Ndaj do të kërkojmë si Lëvizje BASHKË mbështetjen e qytetarëve për të luftuar oligarkinë ekonomike dhe korrupsionin në Bashkinë e Tiranës, dhe të përmirësojmë ndjeshëm shërbimet publike për qytetarët”, tha Qori.
Zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë pritet të sjellin sfida për opozitën, ndërsa lëvizjet e reja synojnë të ofrojnë alternativa të pavarura ndaj partive tradicionale./E.S
