Libani dhe Izraeli nisën sot një raund të ri bisedimesh në Uashington, ndërsa Bejruti këmbëngul të vazhdojë negociatat e drejtpërdrejta me shtetin hebre, pavarësisht se ato duket se po lihen nën hije, nga vendimi i Iranit për ta përfshirë çështjen e Libanit në dialogun e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raportoi “Reuters”.
Zyrtarët libanezë kanë deklaruar se negociatat ballë për ballë me Izraelin, mbeten e vetmja rrugë për t’i dhënë fund luftës që vazhdon që nga 2 marsi, kur grupi i armatosur, Hezbollah hapi zjarr ndaj Izraelit në mbështetje të Iranit, duke nxitur sulme ajrore dhe tokësore izraelite, që kanë shkaktuar mbi 4 000 viktima në Liban.
Megjithatë, katër raundet e bisedimeve mes Libanit dhe Izraelit, që prej muajit prill, nuk kanë arritur të sigurojnë një armëpushim të qëndrueshëm.
Pauza më e gjatë e luftimeve u arrit vetëm këtë javë, pas memorandumit të mirëkuptimit të dakordësuar mes Iranit dhe SHBA-së, i cili parashikonte ndërprerjen e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.
Marrëveshja i dha një shtysë Hezbollahut të mbështetur nga Irani, por njëkohësisht dobësoi pozitat e shtetit libanez, drejtuesit e të cilit, përfshirë presidentin Joseph Aoun, kanë paralajmëruar vazhdimisht, se Teherani nuk mund të negociojë në emër të Libanit.
“Sot dhe në ditët në vijim nisim një raund të ri bisedimesh, të cilat shpresojmë të jenë vendimtare, për arritjen e asaj që dëshirojmë për të mirën e vendit dhe popullit tonë”, shkroi Aoun në rrjetin X.
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) tha se negociatat do të përfshijnë delegacione ushtarake dhe politike, nga të dy vendet dhe synojnë të avancojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, për paqen dhe sigurinë.
“Qëllimi ynë i përbashkët është t’i japim fund përgjithmonë ciklit të dhunës. Po u mundësojmë Izraelit dhe Libanit të negociojnë si dy shtete sovrane dhe të gjejnë një rrugë drejt paqes dhe sigurisë”, deklaroi ai.
Libani kërkon afat për tërheqjen e trupave izraelite
Megjithatë, një zyrtar libanez dhe dy diplomatë të përfshirë në çështjen e Libanit, thanë për “Reuters” se marrëveshja SHBA-Iran ka minuar pozitat e shtetit libanez, duke e lënë atë në pikën më të dobët deri tani dhe duke vënë në dyshim efektivitetin e bisedimeve me Izraelin.
Sipas zyrtarit libanez, nuk ka shumë besim se negociatat treditore do të prodhojnë rezultate konkrete.
“Vazhdon të ekzistojë një problem themelor mosbesimi mes nesh dhe izraelitëve. Ne nuk mund të përmbushim kërkesat e tyre, ndërsa ata refuzojnë të gjitha kërkesat tona”, tha ai.
Një nga objektivat kryesore të Libanit është sigurimi i tërheqjes së forcave izraelite nga territori i tij, por zyrtarë të lartë izraelitë kanë deklaruar se trupat do të qëndrojnë në jug të Libanit, për një periudhë të pacaktuar.
Presidenti Aoun deklaroi sot se Libani “nuk do të pranojë asgjë më pak se përfundimin e plotë të pushtimit izraelit në jug të Libanit dhe fundin e çdo forme tutelje të huaj”, në një referencë të dukshme ndaj Iranit.
Qeveria libaneze ka vepruar me kujdes që prej vitit 2025, për të kufizuar arsenalin e Hezbollahut pa hyrë në përplasje të drejtpërdrejtë me grupin, nga frika se një veprim i tillë mund të shkaktojë konflikt civil.
Hezbollahu ka refuzuar çarmatimin e plotë dhe i ka kërkuar qeverisë të tërhiqet nga negociatat direkte me Izraelin.
Hezbollahu mbështetet te Irani
Presidenti Aoun propozoi, për herë të parë, bisedimet e drejtpërdrejta në mars, por ato nisën vetëm në mesin e prillit, pasi SHBA-ja shpalli armëpushimin, për të hapur rrugën e një procesi diplomatik që, sipas Uashingtonit, do të çonte në një marrëveshje paqeje.
Megjithatë, luftimet në jug të Libanit vazhduan me intensitet, ndërsa trupat izraelite avancuan më thellë në fshatrat libaneze.
Një tjetër nismë armëpushimi, e shpallur nga SHBA-ja në fillim të qershorit, në kuadër të bisedimeve Liban-Izrael, u kushtëzua me ndërprerjen e sulmeve nga Hezbollahu, por u refuzua nga grupi.
Sipas Hezbollahut, Irani pritet të kërkojë tërheqjen e Izraelit nga Libani, në kuadër të negociatave të tij me SHBA-në, për një marrëveshje përfundimtare.
Për këtë arsye, grupi beson se qeveria libaneze, duhet të mbështetet te ky kanal diplomatik dhe jo te negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin./mxh
