Last Updated on 08/07/2025 by adminfjala
Një qytetare ka ngritur një shqetësim serioz për gjendjen e liqenit të Treganit, në zonën e Llixhave të Elbasanit.
Sipas saj, diga që kontrollon rrjedhjen e ujit nga liqeni, e cila më herët hapej në orare të caktuara për vaditje, tani lihet e hapur 24 orë në ditë, që nga fillimi i qershorit.
Ajo thotë se kjo praktikë po sjell shpenzim të pakontrolluar të rezervave ujore, duke rrezikuar tharjen e liqenit në kulmin e sezonit të thatësirave.
“Vetëm për një javë, niveli i ujit ka rënë mbi një metër. Nëse vazhdon kështu, liqeni do shterojë si vitin e kaluar,” – thuhet në denoncimin e saj.
Fermerët janë të shqetësuar se ky menaxhim i pakujdesshëm do të sjellë mungesë të theksuar uji në muajt korrik, gusht dhe më tej, pikërisht kur uji është më jetik për bujqësinë.
Banorët dhe përdoruesit e tokave bëjnë thirrje që bashkia e Elbasanit të ndërhyjë menjëherë për të rregulluar oraret e hapjes së digës dhe për të garantuar një menaxhim të qëndrueshëm të liqenit – një pasuri që u përket të gjithëve.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje JOQ, Dua të ngre një shqetësim për liqenin e Treganit në Llixhat e Elbasanit. Dikur diga hapej në orare të caktuara për vaditje, por tani ajo lihet e hapur 24 orë në ditë që në fillim të qershorit. Si pasojë, rezervat ujore po shpenzohen pa asnjë kriter. Vetëm për një javë, niveli i ujit ka rënë mbi 1 metër dhe me këtë ritëm, liqeni rrezikon të shterojë si vitin e kaluar. Kjo politikë e pakujdesshme do të sjellë mungesë të madhe uji për vetë fermerët në muajt korrik, gusht dhe më tej, pikërisht kur uji nevojitet më shumë. Bashkia duhet të marrë urgjentisht masa për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit dhe mbrojtjen e liqenit, që është një pasuri e përbashkët për të gjithë komunitetin./E.T