Last Updated on 28/02/2026 by Anisa
Pas ndryshimeve të fundit në kabinetin qeveritar, Luciano Boci ka reaguar me një koment , duke e cilësuar këtë si një “riorganizim të korrupsionit”. Ai thekson se lëvizjet e Edi Ramës, përfshirë emërimin e Belinda Ballukut, nuk janë asnjëherë një hap përpara në luftën kundër korrupsionit, por një manovër për të ruajtur strukturat korruptive dhe për të konsoliduar pushtetin.
Boci argumenton se largimi i disa figurave nga qeveria është vetëm një taktikë për të larguar barrën politike dhe penale, ndërkohë që sistemi i korrupsionit mbetet i njëjtë, vetëm më i menaxhuar dhe i përqendruar. Sipas tij, ky “riorganizim” është një përpjekje për të ruajtur të njëjtin sistem të dëmshëm, duke e mbajtur kontrollin në duar të pakta dhe duke shpërndarë më tej pasuritë dhe kontratat e dyshimta./A.D
Reagimi i plotë:
KORRUPSIONI I RIORGANIZUAR
Nën avujt e djersës së panikut për fatin personal, Rama ka paraqitur ndryshime kabineti midis të cilave dhe Ballukun e shumëkërkuar.
Një lëvizje për të ruajtur interesat korruptive dhe fituar kohë të çmuar.
Largimi i këtyre figurave u bë, jo sepse u zbulua papritur ndjeshmëria e moralit publik, por sepse u bënë barrë politike dhe penale.
Ndërsa zevendësuesit ndryshojnë nga emri vetëm. Ato kanë të njëjtin problem me moralin dhe me drejtësinë.
E ky nuk është gabimi i rradhës i Ramës, por riorganizimi i rradhës i korrupsionit.
Me këto lëvizje sistemi korruptiv mbetet. Rrjeti mbetet. Logjika e vendimmarrjes mbetet.
“Korrupsioni i riorganizuar” është pikërisht momenti kur sistemi nuk pastrohet, por rishpërndahet për të ruajtur produktin. Për te ruajtur paranë e shpejtë dhe të madhe.
Në praktikë ndryshon vetëm ai që firmos që në rastin konkret është dhe vazhdim i së njëjtës dorë. Kriza kësisoj përdoret nga Rama për të shtrënguar zinxhirin e komandës e jo ndryshimin sepse komanda është ai vetë. E kjo sjell akoma më pak autonomi në nivele të mesme e akoma më shumë besnikë në pozicione kyçe.
Pra qartazi më pak korrupsion i shpërndarë, më shumë korrupsion i menaxhuar e i përqëndruar në pak duar.Kontratat e pista nuk zhduken fare. Projektet korruptive nuk ndalen. Paratë avullojnë në xhepaThjesht ndryshojnë portat hyrëse dhe dalëse por jo destinacioni i korrupsionit.
Ata që ishin brenda, dalin.
Ata që prisnin jashtë, hyjnë.
Publikut i shitet si kabinet i riorganizuar. Në realitet është përforcim i tabelës së aksionerëve sipas parimeve të korrupsionit të riorganizuar.
Korrupsioni nuk është goditur, është profesionalizuar.
Kjo është dhe arsyeja pse protesta në këto momente nuk është thjesht kundër individëve të larguar, por kundër vetë kreut që riorganozon korrupsionin sa herë i duhet një fabul për të luftuar tani jo korrupsionin, por siç e pohoi vetë anti-korrupsionin.
Protesta sot është domosdoshmëria e një vendi dhe shoqërie që kërkon të sotmen dinjitoze e të ardhmen me shpresa!