Në një kohë kur konfliktet në botë po bëhen gjithnjë e më teknologjike, një tjetër betejë po zhvillohet në prapaskenë: ajo mes Pentagonit dhe kompanive që zhvillojnë inteligjencën artificiale. Kjo përplasje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën sesi do të zhvillohen luftërat në të ardhmen.
Në luftën në Ukrainë, sipas disa vlerësimeve, rreth 70% e viktimave janë shkaktuar nga dronë dhe sisteme automatike. Ndërkohë, në konfliktin në Rripin e Gazës është raportuar se inteligjenca artificiale është përdorur për të analizuar lista me dhjetëra mijëra persona të dyshuar si militantë për të përcaktuar objektiva të mundshëm.
Debati u përshkallëzua pasi kompania OpenAI nënshkroi më 28 shkurt një kontratë me Pentagonin për përdorimin e teknologjisë së saj në sektorin e sigurisë. Marrëveshja erdhi menjëherë pasi kompania tjetër e inteligjencës artificiale, Anthropic, refuzoi një kontratë të ngjashme për shkak të kufizimeve etike që kishte vendosur mbi përdorimin e teknologjisë së saj.
Ky vendim shkaktoi polemika të forta, madje edhe brenda vetë OpenAI. Caitlin Kalinowsky, drejtuesja e divizionit të robotikës në kompani, dha dorëheqjen duke deklaruar se përdorimi i inteligjencës artificiale për mbikëqyrje masive ose për armë autonome pa kontroll njerëzor përbën një vijë të kuqe.
Ajo theksoi se problemi kryesor ishte nxitimi për të nënshkruar marrëveshjen pa vendosur më parë mekanizma të qartë kontrolli dhe rregulla të forta qeverisjeje për përdorimin e teknologjisë.
Reagimi publik ishte i menjëhershëm. Postimi i saj në rrjetet sociale u pa nga miliona njerëz dhe ndezi një debat të gjerë mbi përgjegjësinë e kompanive teknologjike në çështjet e luftës. Sipas disa raportimeve, pas kësaj polemike çinstalimet e aplikacionit ChatGPT në SHBA u rritën ndjeshëm, ndërsa aplikacioni rival Claude pa një rritje të shkarkimeve.
Ndërkohë, drejtuesi i OpenAI, Sam Altman, pranoi se mënyra sesi u komunikua marrëveshja mund të ishte perceptuar si e nxituar dhe oportuniste.
Debati mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në luftë pritet të vazhdojë, pasi teknologjia po ndryshon shpejt natyrën e konflikteve dhe po ngre pyetje të reja mbi rolin e njeriut në vendimet më kritike./kb
