Last Updated on 18/05/2026 by Anisa
Para se të hynte në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’, kreu i Partisë Demokratike, paralajmëroi se do ketë lajm.
Jashtë ambienteve të SPAK, Berisha sulmoi sërish ish-kreun e SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar për pasurinë dhe mënyrën e deklarimit të saj.
Berisha u shpreh se Dumani ka deklaruar se banon me qira, ndërsa sipas tij, dokumente shtetërore tregojnë se vila ku ai jeton është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së tij, duke pretenduar se ndërtimi është lidhur qëllimisht me periudhën para krijimit të familjes.
Ai iu referua gjithashtu një deklarate noteriale të paraqitur gjatë procesit të vettingut, sipas së cilës prindërit e bashkëshortes kanë deklaruar se rreth 45 mijë paund janë siguruar nga një misionar, ndërsa theksohet se dhëndri nuk ka pasur kontribut financiar në ndërtimin e vilës.
Berisha shtoi gjithashtu se, sipas të dhënave shtetërore, Dumani e deklaron banesën si të ndërtuar rreth vitit 2000, duke e cilësuar çështjen si të mbushur me paqartësi dhe kontradikta.
Berisha: Herën e kaluar ju tregova se si Altin Dumani ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlerë disa herë më të ulët sesa vlerat e tregut. Sot, unë jam këtu për një denoncim tjetër.
Ky njeri, që kryeson vettingun, është i padenjë për çdo funksion, përveçse për bandën e akuzës. Sot do t’ju tregoj për vilën ku banon Altini. Ai thotë se banon me qira. Me dokumente shtetërore është deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Dumanit, në mënyrë që askush të mos e lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin. Ai u bë dhëndër në atë familje pasi vila kishte përfunduar.
Kur u bë vettingu, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale, duke deklaruar se paratë i kanë marrë nga një misionar. E kuptoni ju, bamirës i madh, si puna e Rrapush Xhaferit. Kanë qenë afro 45 mijë paund. Se si një misionar jepte 45 mijë paund për një familje, kjo është…
Ndërhyrje nga gazetarët: Ka shërbyer si kishë
Berisha: Edhe kjo është një super mashtrim. Këta që përdorin kishat për mashtrim, s’kanë as Krisht, as Allah, as Budë; janë kryehajdutë. Në deklaratën noteriale thuhet: “Dhëndri ynë s’ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj vile.” Dhëndri ynë s’kishte pse të fuste dorën në xhep për vilën. Vila është banuar nga familja Pango që nga viti 2000.
Çfarë thonë dokumentet e shtetit? Dumani e deklaron ndërtesën si të ndërtuar në vitin 2000./A.D
