Last Updated on 22/04/2026 by Anisa
Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protesta e Partia Demokratike, të cilën e cilëson pa ndikim dhe pa mbështetje. Sipas tij, opozita nuk ka forcë reale për të ardhur në pushtet për sa kohë drejtohet nga Sali Berisha. Sipas tij Berisha po lufton për interesa personale që janë hallet e tij me drejtësinë. Ngjela deklaron për “Top News” se SPAK mbetet shpresa kryesore kundër korrupsionit dhe paralajmëron se pas vizitës së Klodian Brahos dhe prokurorëve specialë në SHBA priten zhvillime të forta nga drejtësia.
–Si e komentoni protestën e fundit të Partisë Demokratike?
Spartak Ngjela: Pa vlerë. S’kanë njerëz. Politikë do të thotë pushtet. Politikë do të thotë njerëz. Ata kishin një grusht njerëzish. Si mund të vijë në pushtet një parti në Shqipëri kur kryetari i saj është “non grata” në Amerikë? Kurse ne jemi nga aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe na kanë dhënë edhe një shtet; NATO na i dha Kosovën.
Dhe në qoftë se ne nuk jemi në këtë gjendje siç jemi me konfliktin e sllavëve, ne gjithë mbrojtjen tonë e kemi te Washingtoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe BE-ja natyrisht. NATO na mbron. Jemi anëtarë të NATO-s ne, kurse në Kosovë ata kanë trupa. Kurse kryetari i opozitës është “non grata” në Amerikë. Atëherë çfarë do të bëjë? Duhet të iki. Le të rrijë, por nuk ka vlerë politike në Shqipëri. Duhet të jemi realistë. Kjo është politika: është “non grata” në Amerikë edhe në BE, por Shqipëria drejt BE-së shkon dhe kjo nuk diskutohet.
-Si e shihni ju raportin e politikës sot me SPAK dhe me GJKKO, duke qenë se të paktën për politikën të gjitha rrugët të çojnë në SPAK?
Spartak Ngjela: SPAK është shpresa jonë. Shpresa e shqiptarëve për eliminimin e korrupsionit është SPAK dhe SPAK drejtohet nga ekspertë ndërkombëtarë.
–Po a mund të presim ne të reja, mund të ketë një aksion pas vizitës së kreut të SPAK në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Spartak Ngjela: SPAK drejtohet nga ekspertët e tyre. Derisa e kanë thirrur, do shikojnë se përse. Nuk mund të flasim me hamendje. Po që do ketë një lëvizje, do ketë; a është arrest i niveleve të larta, a është ndonjë diçka tjetër, këtë do ta presim ta shikojmë.
–Ndërkohë që ka një sfidë tjetër politika përpara: janë zgjedhjet lokale të vitit 2027. Sidomos Tirana mbetet bashkia jo vetëm më e lakmuar, por më e rëndësishmja sepse është kryeqyteti i vendit. Si e shihni, çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet lokale në 2027-ën? A ka një kandidaturë, le të themi të denjë, Partia Demokratike dhe si e shihni ju vetë ofrimin nga ana e zotit Braçe si kandidat për bashkinë?
Spartak Ngjela: Nuk mundet Partia Socialiste dot në Tiranë. Pse, Saliu do ta mundë? E para e punës, keni sondazhet. Kanë dalë sondazhet, është poshtë PD-ja. Si do ta lejojë t’i ikë nga administrimi i Partisë Socialiste kryeqyteti i Shqipërisë? E dyta, flas me këtë gjuhë se ata kanë vota, s’diskutohet ajo; këta janë nën 30%. PD-ja nuk mund të luftojë dot se e ka kryetarin “non grata” në Amerikë. Ka marrë fund kjo. Nuk mund të jesh në politikë në Shqipëri që të luftosh për të qenë kryeministër, një individ që është “non grata” në Amerikë, nuk ka diskutim më. Edhe Saliut, ma merr mendja, nuk sulmon për këtë gjë, ai e ka për interesin e vet, çështjen e tij personale.
–Ndërkohë ne kemi diskutuar shpesh bashkë dhe ju thoni që për aq kohë sa do të jetë Berisha në krye të PD-së nuk ka mundësi që Partia Demokratike të vijë në pushtet. Cila do të ishte garancia për Berishën që të bënte një hap pas dhe të lejonte dikë tjetër në krye të PD-së?
Spartak Ngjela: Janë përplasje interesash. Duhet të kemi parasysh një gjë: Berisha është i pandehur, është në akuzë. Tani unë nuk mund të flas më gjatë për një njeri që është në akuzë se nuk më lejohet, jam avokat, dhe ai do t’i bëjë të gjitha lëvizjet që të shpëtojë ose që t’i shmanget presionit që po i bëhet nga SPAK-u. Është në luftë me SPAK-un Saliu. Unë nuk mund të flas dot për atë që është nën akuzë.
–Keni një koment për pozicionin e Ramës sot. Si e shihni ju pushtetin e tij? Sot është i lëkundur, duke qenë se po shohim ditë pas dite edhe zëra që po i dalin kundër ose po rebelohen, siç është zonja Spiropali? Pra, ka një tentativë për të krijuar fraksione brenda Partisë Socialiste apo është i gjithëpushtetshëm Rama?
Spartak Ngjela: Deri tani Partia Socialiste, domethënë e majta shqiptare, nuk ka krijuar fraksione. Ajo ashtu e ka ideologjinë e vet. Pastaj ato konfliktet e tyre të brendshme nuk kanë lidhje me gjendjen e përgjithshme. Që të jesh kryetar i Partisë Socialiste duhet ta marrësh me vota; këtu mbyllet historia. Nuk e merr me media, do votim. Unë po flas se si flitet me gjuhën e ligjit dhe me gjuhën e politikës moderne. Janë zgjedhjet ato që të bëjnë kryetar. Nuk të bëjnë gazetat; gazetat mbase të rrisin shumë personalitetin, por nuk të bëjnë ato. Kush të sjell në pushtet? Vota e lirë. A mundet dot PS-ja në Tiranë? Pamundësi absolute për mendimin tim. Nuk është se jam me socialistët, por jam realiste.
