Last Updated on 22/04/2026 by Anisa
Ish-ministri i Jashtëm dhe profesori Paskal Milo ka ndarë dy nga momentet më të vështira të karrierës së tij politike, gjatë një interviste në emisionin “Quo Vadis”. Ai është ndalur si te ngjarjet dramatike të 14 shtatorit 1998, ashtu edhe te dita vendimtare e Konferencës së Rambujesë në vitin 1999.
Milo kujtoi se momenti i parë i rëndë ishte gjatë trazirave të 14 shtatorit 1998, kur, sipas tij, u përball i vetëm me situatën në zyrë, mes tensionit dhe rrezikut të drejtpërdrejtë.
“Ka qenë 14 shtatori i vitit 1998, kur për shkak të atyre ngjarjeve unë mbeta vetëm në zyrë dhe mu desh të përballoja median shqiptare të kohës, që kërkonte të intervistonte një anëtar qeverie për të kuptuar çfarë po ndodhte. Unë nuk lëviza nga zyra, ndërkohë që rreth e rrotull isha i rrethuar nga forcat e opozitës. Duke qenë se askush nga qeveria nuk po përgjigjej në atë moment, përveç ministrit të Brendshëm, fillova të jap intervista për të inkurajuar njerëzit të rezistonin përballë një grushti shteti,” u shpreh Milo.
Ai tregoi gjithashtu se në atë ditë iu desh të kontaktonte diplomatë të huaj në kushte të vështira.
“Më duhej të informoja ndërkombëtarët për çfarë po ndodhte në Shqipëri. Për fat të keq ishte ditë e diel. Më kujtohet që kam marrë disa ministra të Jashtëm në telefonat e shtëpisë… Përballë plumbave që dëgjoheshin jashtë, erdhi edhe një televizion që më mori në intervistë, si dhe BBC e të tjerë. Atë ditë kam jetuar dhe punuar si në rrethim. Ka qenë një nga ditët më të vështira,” tha ai.
Momenti i dytë i fortë për Milon ishte Konferenca e Rambujesë, më 23 shkurt 1999, ku, sipas tij, vendosej fati i Kosovës.
“Ai i Rambujesë, dita e fundit e Konferencës së Rambujesë, më 23 shkurt 1999. Kisha vajtur nga Tirana me kërkesë të sekretares Ollbrajt për të punuar bashkë me të dhe për të bindur delegacionin e Kosovës që të jepte pëlqimin për nënshkrimin e marrëveshjes. Kryetari i delegacionit, Hashim Thaçi, rezistonte,” rrëfeu Milo.
Ai tregoi edhe presionin ndërkombëtar që shoqëronte negociatat.
“Aty kam kaluar momente të mëdha përgjegjësie dhe tensioni të jashtëzakonshëm… Ollbrajt dhe Hill më thoshin se nëse delegacioni i Kosovës nuk i thoshte ‘po’ propozimeve të tyre, atëherë do ta harronin çështjen e Kosovës,” u shpreh ai.
Milo kujtoi edhe momentin e përballjes me Hashim Thaçin:
“Iu drejtova Hashimit me shpirt dhe i thashë: ‘Më shiko drejt në sy, sepse sytë e tu më thonë që do të marrësh një vendim të drejtë.’”
Sipas tij, vendimi erdhi pas një pauze të shkurtër:
“Më tha: ‘Më jepni gjysmë ore kohë të marr një vendim.’… Më pas ata formuluan atë dokument historik dhe i thanë ‘po’ marrëveshjes së Rambujesë.”
Marrëdhëniet me Nanon dhe Ramën
Në një pjesë tjetër të intervistës, Milo foli edhe për bashkëpunimin me drejtuesit e Partisë Socialiste, duke veçuar Fatos Nanon si figurën më domethënëse për të.
“Me Fatos Nanon kam punuar në qeveri. Me Edi Ramën nuk kam punuar në qeveri. Kemi qenë të dy ministra, pra kemi qenë në pozita të barabarta. Me Fatos Nanon unë kam punuar në raporte ai kryeministër, unë ministër i Jashtëm. Me Nanon më lidhte një miqësi intelektuale, jo politike. Kur u futa në angazhim politik, atëherë nisi një bashkëpunim që u rilind pasi ai u kthye nga burgu dhe më propozoi në takimin e parë, pasi fituam zgjedhjet, dy mandatet që unë të zgjidhja, atë të kryetarit të vendit dhe ministrit të Jashtëm. Ka qenë qershor i vitit 1997. Unë i kam thënë me sinqeritet se para se të më ofrosh mua këto gjëra, bisedo me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, unë isha nënkryetar. Të zgjedhë ai njëherë, i thashë, dhe ç’të ngelet e marr unë. Kështu u bë, Nano takoi Gjinushin, Gjinushi preferoi kreun e Kuvendit.
Milo shtoi edhe një vlerësim kritik:
“Nano mund të ketë pasur gabimet e tij, huqet e tij, por ka qenë një njeri që, siç kishte huqe, kishte dhe merita. Ishte njeri liberal që të dëgjonte dhe të përgjigjej në mënyrën e tij, por reflektonte. Ndodhte që në zyrën e tij edhe debatonim, por ai kishte një gjë shumë të mirë. Më merrte në telefon pas 10 minutash dhe më thoshte, bëje siç e ke menduar vetë. Ishte një njeri që bashkëpunonte, reflektonte. Në marrëdhënien me kolegët ishte qytetar.”
Kritika për sistemin politik
Duke folur për zhvillimet politike në Shqipëri, Milo u ndal te ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat sipas tij dëmtuan partitë e vogla dhe pluralizmin.
“Nuk jemi larguar vullnetarisht, por na kanë detyruar të tërhiqemi,” tha ai, duke shtuar se sistemi u ndikua nga dy partitë e mëdha:
“Në atë kohë… bashkëpërgjegjës për këtë ndryshim ishin dy kryetarët e dy partive të mëdha, PS dhe PD, dhe ata janë përgjegjës edhe për gjendjen në të cilën ndodhet sot politika shqiptare.”
Milo theksoi gjithashtu se partitë e vogla u goditën në mënyrë të pabarabartë, duke sjellë si shembull mënyrën se si u trajtuan aleancat politike në të kaluarën.
