Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur të martën në Memaliaj, ku mbeti i vrarë 30-vjeçari Endri Goxhaj. Hetimet e deritanishme po orientojnë grupin hetimor drejt dyshimeve se nuk bëhet fjalë për një konflikt të çastit, por për një ekzekutim të mirëorganizuar.
Sipas burimeve pranë hetimit, dyshohet se viktima është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme gjatë rutinës së tij të përditshme, deri në momentin kur është kryer atentati. Këto të dhëna po analizohen në kuadër të rindërtimit të plotë të lëvizjeve të tij në orët dhe ditët para ngjarjes.
Grupi hetimor po verifikon me imtësi të gjithë dinamikën e rastit, ndërsa deri më tani nuk është arritur në një version përfundimtar mbi mënyrën e organizimit apo motivet e mundshme të krimit.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje disa persona, dëshmitë e të cilëve po mbahen konfidenciale për arsye hetimore. Autoritetet po vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Autori i dyshuar, Donald Nelaj rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, pasi në moshën 21-vjeçare është përfshirë në listën e personave të dyshuar për trafik droge, si pjesë e një grupi kriminal.
Në nëntor të vitit 2018, policia e Sarandës sekuestroi 32.35 kg kanabis, si dhe një automjet tip ‘BMË X5’, në kuadër të një operacioni kundër trafikimit të lëndëve narkotike. Hetimet e zhvilluara në atë kohë zbuluan se Ervis Hysaj dhe Donald Nelaj kishin kërcënuar me jetë Mikel Jorgji, i cili dyshohet se kishte ndërmjetësuar kontaktin e tyre me disa anëtarë të grupit nga Tepelena.Sipas të dhënave, Donald Nelaj është dënuar në vitin 2018 si pjesë e një grupi kriminal, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim me persona të tjerë.Po ashtu ai ka qenë autor dhe bashkëpunëtor në grabitjen e një pike Exchange në Tepelenë. Në grabitjen e dhunimin e kambistit ka pasur edhe 4 persona të tjerë, mes tyre edhe i plagosuri Dario Nelaj.
