Nëse je bionde, brune apo flokëkuqe, tendencat e flokëve për vjeshtën 2026 kanë një të përbashkët: një elegancë të thjeshtë, natyrale dhe jo shumë të sforcuar. Madelyn Cline duket se e ka përqafuar këtë ide me transformimin e saj të fundit, nga flokët me nuanca të përziera në një bionde të butë, kremoze dhe me nuanca vaniljeje e bezhe.
Pasi gjatë verës mbajti flokët me gjatësi mesatare, aktorja e “Outer Banks” u shfaq në Javën e Modës në Nju Jork me një prerje krejt të re, të cilën stilisti i saj prej vitesh, Marc Mena, e quan një bob me karakter. Por ndryshimi nuk ishte vetëm te gjatësia.
Stilistja e famshme Tracey Cunningham e çoi ngjyrën e flokëve të Cline nga një përzierje kafeje dhe biondeje në një bionde kremoze, me shumë dimension dhe pa nuanca të forta të verdha.

Sa i përket prerjes, Mena thotë se Cline kërkonte një ndryshim që të dukej “i freskët, modern dhe paksa i guximshëm”. Për këtë arsye, ai zgjodhi një bob që arrin deri te shpatullat dhe paksa të prerë drejt. Gjatësia është mjaftueshëm e shkurtër për të bërë përshtypje, por mjaftueshëm e gjatë për t’i dhënë flokëve teksturë dhe për të ndryshuar mënyrën e stilimit.
Së bashku, prerja dhe ngjyra e re e bëjnë këtë pamje një kombinim shumë të përshtatshëm për vjeshtën. Ja çfarë duhet të dini për të dyja.
Çfarë është biondja vanilje?
Cunningham e përshkruan këtë nuancë si një bionde të ndritshme, të zbutur nga dielli, ku ndërthuren tone të buta bezhe dhe taupe.

Sekreti është që ngjyra të mos duket as shumë e verdhë, as shumë e ftohtë dhe gri. Ideja është të krijohet një bionde e butë, me dimension dhe e përshtatur me ngjyrën bazë dhe nëntonet natyrale të flokëve.
Pikërisht për këtë arsye, Cunningham thekson se nuk duhet kopjuar verbërisht formula e përdorur te Madelyn Cline. E rëndësishme është të gjendet efekti vanilje-taupe që përshtatet me ngjyrën natyrale të flokëve të secilit person.

Si ta kërkoni këtë ngjyrë në sallon?
Nëse dëshironi një rezultat të ngjashëm, Cunningham rekomandon të kërkoni një bionde të butë dhe me dimension, me tone kremoze vaniljeje dhe nuanca delikate bezhe. Por, sipas saj, po aq e rëndësishme sa ngjyra është edhe vendosja e fijeve më të çelëta.
Po prerja bob?
Mena e përshkruan prerjen e Cline si një bob me një vijë të fortë dhe të pastër, që përfundon pak mbi shpatulla, ndërsa majat janë të teksturuara lehtë. Kjo i jep pamjes një efekt tërheqës dhe të çlirët, pa e bërë prerjen të duket e ngurtë.

Ai përdori shtresa pothuajse të padukshme dhe pjesë më të gjata që kornizojnë fytyrën, për t’i dhënë flokëve lëvizje pa krijuar një pamje të stërstiluar.
Si ta kërkoni një bob të tillë në sallon?
Mena rekomandon të kërkoni një bob që arrin deri te shpatullat, paksa të prerë drejt, maja të teksturuara lehtë dhe shumë pak shtresa.
Pjesa e përparme duhet të kornizojë butësisht fytyrën, pa krijuar shumë shtresa ose ndryshime të dukshme në gjatësi.

Ashtu si Cunningham, edhe Mena këshillon të merrni me vete fotografi si referencë, por gjatësia duhet përshtatur me formën e fytyrës, qafën dhe teksturën natyrale të flokëve.
Pse është kaq e përshtatshme për vjeshtën?
Edhe pse prerjet bob lidhen shpesh me verën, Mena mendon se një bob deri te shpatullat përshtatet veçanërisht mirë me veshjet e vjeshtës, sidomos me lëkurën, prerjet e strukturuara dhe jakat e larta./k.m
