Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka shprehur sot në Berlin gjatë një takimi me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, qëllimin e tij për të ripozicionuar vendin e tij si një partner i besueshëm brenda Bashkimit Evropian.
Merz i bëri thirrje Magyar të mbështesë politikën kolektive të BE-së ndaj Ukrainës, duke ndjekur një kurs të ndryshëm nga ai i paraardhësit të tij, Viktor Orban.
Ndërkohë, Magyar u zotua se Hungaria që tani e tutje do të jetë një partner i ndershëm dhe i besueshëm brenda Bashkimit Euroian.
“Sigurisht që nuk do të biem gjithmonë dakord, por nuk do të vëmë veton vetëm për arsye parimore”, siguroi ai, megjithëse përsëriti se vendi i tij do të vazhdojë të përmbahet nga dërgimi i armëve ose trupave në Ukrainë dhe se synon të bllokojë fillimin e negociatave të pranimit në BE me Ukrainën për sa kohë që të drejtat e pakicës hungareze në vend mbeten të kufizuara.
Kryeministri hungarez gjithashtu kritikoi ashpër presidentin e vendit të tij, Tamas Szulok, të cilin e përshkroi si “kukullën e Orban-it”, duke argumentuar se në dy vitet që kur mori detyrën, ai nuk i ka përmbushur detyrat e tij si kreu i shtetit.
“Ai qëndroi duarkryq ndërsa Orban shiti atdheun tonë dhe e shndërroi Hungarinë në shtetin më të korruptuar në BE”, tha ai./mxh
