Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan, një prej kishave dhe manastireve të shumta të luginës së Drinos është shpallur ‘Monument Kulture’ Kategoria I.
Miratimi i projektit hap rrugën për nisjen e punimeve të zbatimit, të cilat synojnë rikthimin e funksionit dhe jetueshmërisë së manastirit, duke e kthyer atë në një hapësirë të gjallë për komunitetin dhe trashëgiminë kulturore, si dhe duke pasuruar itineraret turistike të vendit.
Kjo do të jetë ndërhyrja e parë e plotë për ringritjen e konakëve, të cilët aktualisht janë në gjendje të degraduar.
Ajo përfshin pastrimin, konsolidimin e muraturës dhe rindërtimin e elementeve tradicionale si çatitë, dyshemetë dhe strukturat prej druri.
Manastiri i Kryeengjëjve është një nga ansamblet më të rëndësishme shpirtërore dhe arkitekturore të Derviçanit, me vlera të spikatura historike dhe identitare.
Kompleksi, i përbërë nga kisha dhe konakët, dëshmon traditën e ndërtimit në gur dhe organizimin e jetës monastike ndër shekuj. I pozicionuar në pllajën e Malit të Gjerë, mbi fshatin Derviçan, manastiri është një ndërtim më i ri në krahasim me komplekset e tjera të kësaj lugine, por ka vlera të shumta dhe dëshmon për zhvillimin dhe larminë tipologjike të ndërtimeve të arkitekturës pasbizantine.
Si në të gjitha kishat e Dropullit, edhe këtu është përdorur e njëjta teknikë ndërtimi, muraturë me gurë shtresore, të vendosur në radhë të rregullta e të lidhur me llaç gëlqereje.
Mbulesa e çatisë është me rrasa guri. Si kohë ndërtimi mendohet që manastiri t’i përkasë shekullit të 18-të.
