Legjenda e Juventusit, Claudio Marchisio, ka vlerësuar lart ish-shokun e skuadrës Cristiano Ronaldo, duke theksuar se lojtarët e rinj duhet të marrin atë si model, e jo Lionel Messin, nëse synojnë të arrijnë nivelin më të lartë në futboll.
Ronaldo u bashkua me Juventusin në verën e vitit 2018, ku qëndroi për tre sezone. Marchisio, i cili luajti me portugezin vetëm për disa javë para largimit të tij nga klubi, rrëfen atmosferën që shoqëroi transferimin e yllit në Torino.
Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ish-mesfushori kujtoi momentin kur Ronaldo pritej të hynte për herë të parë në dhomat e zhveshjes:
“Çfarë të them? Kishte shumë emocione. Juventusi është mësuar me kampionë të mëdhenj, por ende e mbaj mend atë ditë kur pritej të vinte. Bashkë me Barzaglin po e prisnim. Kemi pritur yje si Carlos Tevez, por me Ronaldon ishte ndryshe, thoshim me vete: ‘A po vjen vërtet?’ Ishte një superstar”.
Marchisio shtoi se puna dhe përkushtimi i Ronaldos duhet të jenë shembull për brezat e rinj.
“Një këshillë për lojtarët e rinj: ndiqni shembullin e tij. Nëse doni të bëheni lojtarë të nivelit më të lartë, shikoni Ronaldon, jo Messin. Ronaldo ka qenë gjithmonë i jashtëzakonshëm, por ai u bë edhe më i madh falë punës së palodhur. Tjetri është i bekuar nga Zoti, ka aq shumë cilësi sa ndonjëherë duket sikur nuk i duhet as stërvitja”. M.P.
