Last Updated on 24/02/2026 by Monika
Në gjyqin për masakrën e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kërkuar që gjyqtarja Irena Gjoka të përjashtohet nga procesi.
Avokati i tij, Henrik Ligori, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë të korrikut 2025, argumentoi se nuk është e ligjshme që gjyqtari i seancës paraprake të shqyrtojë edhe çështjen e themelit. Ligori paralajmëroi se, nëse Gjoka vazhdon të jetë pjesë e gjykimit, çështja mund të kthehet sërish në fillim:
“Nëse çështja do të shqyrtohet nga ju, ajo mund të kthehet sërish. Ne kërkojmë përjashtimin tuaj nga ky gjykim.”
Gjyqtarja Irena Gjoka pyeti nëse palët ishin njohur me kërkesën e saj për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, ndërsa avokati Ligori konfirmoi se ishin vënë në dijeni.
Ky nuk është rasti i parë që gjyqtarja Gjoka ka tentuar të largohet nga ky proces. Në nëntor 2025, ajo kishte kërkuar vetë të hiqej nga gjykimi, me arsyetimin se kishte qenë gjyqtare e seancës paraprake dhe se kishte marrë gjykimin kur i pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar. Kërkesa e saj u rrëzua nga GJKKO.
Përfaqësuesi i SPAK, Arben Kraja, deklaroi se prokuroria nuk ka një qëndrim lidhur me kërkesën e avokatëve. Gjyqi për masakrën e Gërdecit do të vijojë me gjyqtare Gjokën, derisa kërkesa e avokatit të Mediut të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër.
Dialogu në gjykatë:
Gjoka: “A e keni marrë kërkesën time për heqje dorë nga ky gjykim?”
Ligori: “Po, jemi njohur me të.”
Arben Kraja: “Ne nuk kemi ndonjë qëndrim.”
Gjyqi për masakrën e Gërdecit ka nisur në prill 2023. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit pranë një zone të banuar, si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat dhe gjetjet e ekspertëve.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u nxit pas 12 vitesh, me iniciativën e familjes Durda, një prej viktimave të shpërthimit të 15 marsit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën./A.D
