Një valë e re emigracioni ka goditur enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, ku mbi 1.500 persona kanë mbërritur gjatë javës së fundit duke kaluar me not ose përgjatë digës kufitare që ndan territorin spanjoll nga Maroku. Autoritetet spanjolle e kanë cilësuar situatën si një krizë humanitare të paprecedentë.
Sipas autoriteteve lokale, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë nxjerrë nga deti trupat e 18 emigrantëve, ndërsa raportohet se disa persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, deklaroi se rreth 2.000 emigrantë kanë hyrë në qytet gjatë dhjetë ditëve të fundit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga qeveria spanjolle.
Spanja forcon masat e sigurisë
Qeveria spanjolle ka vendosur të dërgojë trupa shtesë ushtarake për të mbështetur Gardën Civile në kontrollin e kufirit. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se ekzekutivi është angazhuar të marrë masa të menjëhershme për të rikthyer situatën nën kontroll.
Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, do të vizitojë Ceutën për të koordinuar masat emergjente dhe për të forcuar bashkëpunimin me autoritetet marokene në menaxhimin e flukseve migratore dhe përshpejtimin e procedurave të riatdhesimit.
Meloni: Gati të pezullojmë Schengenin me Spanjën
Zhvillimet në Ceuta kanë shkaktuar reagime edhe në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se qeveria italiane po shqyrton mundësinë e pezullimit të përkohshëm të zbatimit të marrëveshjes Schengen me Spanjën, duke argumentuar se emigracioni i paligjshëm përbën një kërcënim për sigurinë e kufijve evropianë.
“Këto pamje tregojnë edhe një herë se emigracioni i pakontrolluar është një sfidë serioze për Evropën. Italia është e gatshme të përdorë çdo instrument të nevojshëm për mbrojtjen e kufijve dhe të qytetarëve”, u shpreh Meloni.
Pas këtyre deklaratave, Ministria e Jashtme spanjolle thirri ambasadorin italian në Madrid për të kërkuar sqarime mbi qëndrimin e Romës.
Polemika mes Spanjës dhe Marokut
Sindikatat e policisë spanjolle kanë akuzuar autoritetet marokene se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të ndaluar kalimet e paligjshme drejt Ceutës. Nga ana tjetër, Maroku i ka hedhur poshtë akuzat, duke fajësuar rrjetet kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore për organizimin e kalimeve masive dhe duke theksuar se bashkëpunimi me Spanjën mbetet i mirë.
Sipas autoriteteve spanjolle, trafikantët po përfitojnë edhe nga një vendim i fundit i Gjykatës Supreme të Spanjës, i cili ka kufizuar praktikën e kthimeve të menjëhershme të emigrantëve në kufi, duke nxitur më shumë tentativa për kalim.
Një nga kufijtë më të ndjeshëm të Evropës
Ceuta është një territor spanjoll në brigjet e Afrikës Veriore dhe, së bashku me Melillën, përbën kufirin e vetëm tokësor mes Bashkimit Evropian dhe kontinentit afrikan. Për shkak të pozicionit të saj strategjik, enklava është prej vitesh një nga pikat kryesore të emigracionit të parregullt drejt Evropës./ad
