Last Updated on 06/05/2026 by EL
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka shpallur hapjen e thirrjes për vitin 2026 të Programit të Vetëpunësimit, një skemë që synon të mbështesë të gjithë ata qytetarë që duan të nisin biznesin e tyre.
Gjatë prezantimit të Programit, Ibrahimaj tha se programi është krijuar për të ndihmuar të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël që kanë një ide biznesi, por nuk kanë mundësi financiare për ta kthyer atë në një sipërmarrje funksionale.
“Programi i Vetëpunësimit është ndërtuar për të nxitur sipërmarrjen dhe për të mbështetur konkretisht të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes një biznesi. Qëllimi ynë është që të shoqërojmë çdo ide nga faza fillestare deri në realizimin e saj,” deklaroi Ministrja.
Ajo theksoi se programi nuk është i dedikuar vetëm për emigrantët që kthehen në Shqipëri, por për të gjithë të rinjtë që zgjedhin të jetojnë dhe të investojnë në vend. Sipas Ibrahimajt, programi funksionon në disa faza, duke nisur nga aplikimi me një ide fillestare, më pas trajnimi për hartimin e planit të biznesit dhe në fund vlerësimi për financim.
Ministrja bëri të ditur se çdo vit mbështeten rreth 200 përfitues dhe për vitin 2026 fondi është rritur për të lejuar financimin e më shumë aplikantëve. Në fjalën e saj, ajo u ndal edhe te rëndësia e arsimit dhe formimit profesional, duke thënë se aftësitë praktike u japin të rinjve më shumë mundësi për të hyrë në tregun e punës ose për të hapur bizneset e tyre.
Ibrahimaj përmendi edhe mbështetjen për startup-et përmes Innovation4Albania, duke theksuar se programet synojnë të krijojnë mundësi të barabarta në të gjithë vendin.
“Qëllimi ynë është të përhapim kulturën e sipërmarrjes, të forcojmë njohuritë e të rinjve dhe të sigurohemi që ata të ndërtojnë biznese të qëndrueshme dhe të suksesshme,” tha Ministrja.
“Aplikoni, aplikoni, aplikoni. Nuk keni asgjë për të humbur, por shumë për të fituar”, përfundoi ajo./ET
