Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës Speciale në Hagë me një kërkesë për lirimin e tij të përkohshëm. Kjo kërkesë është bërë përmes argumentimit se nuk ekzistojnë më arsyet që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit.
Mediat në Kosovë shkruajnë se avokatët e Thaçit kanë ofruar një garanci financiare prej 50 mijë eurosh për të mbështetur kërkesën për lirim me kusht.
‘’Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) paraqet me këtë parashtresë argumentet e saj në kuadër të rishikimit të paraburgimit, në përputhje me nenin 41(6) dhe (10) të Ligjit,¹ rregullat 56 dhe 57 të Rregullores,² si dhe urdhrin e Gjyqtarit të Vetëm të Gjykimit (“GVG”).³ Mbrojtja kërkon që GVG-ja të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Thaçi, ndër të tjera, me arsyetimin se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, veçanërisht duke pasur parasysh garancinë financiare prej 50.000 eurosh të ofruar për të siguruar lirimin e tij,? si dhe se vazhdimi i paraburgimit të tij nuk është më i arsyeshëm ose proporcional’’, thuhet mes tjerash në kërkesë.
Kërkesa vjen ndërsa procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ka hyrë në fazën përfundimtare dhe Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin 2026 si datë për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë.
Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij./mxh
