Last Updated on 02/04/2026 by EL
Një lajm i trishtë ka ardhur për besimtarët dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Ka ndërruar jetë Dom Kelmend Spaqi, prifti me prejardhje nga Spaçi i Mirditës, i njohur për shërbimin e tij në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan dhe për aktet e jashtëzakonshme të humanizmit gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë e miq të tij në rrjetin social Facebook, të cilët nuk kanë nguruar të shprehin dhimbjen për humbjen e një njeriu të mirë siç ishte Dom Kelmend Spaqi.
“E Enjtja e Shenjtë. Dita e Meshtarisë. Kjo ditë që duhej të ishte ditë gëzimi e bekimi, u kthye në dhimbje për të gjithë ne që të njohëm dhe të deshëm. Pusho në Paqe Dom Kelmend Spaqi”, shkroi prifti Gabriel Grabanica.
Ai do të kujtohet si njeriu që në momentet më të vështira u bë mburojë për qindra jetë njerëzish. Me guxim të rrallë, ai u përball me rrezikun duke deklaruar: “Më pushkatoni mua më së pari, e mos i prekni ata”, duke shpëtuar kështu shumë familje shqiptare nga masakrat.
Në kohë lufte, kur frika dhe pasiguria mbizotëronin, Dom Kelmendi hapi dyert e kishës për të gjithë, pa dallim feje, duke strehuar edhe qindra shqiptarë myslimanë dhe duke dëshmuar se mbi gjithçka qëndronte jeta dhe dinjiteti njerëzor.
Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh te të gjithë ata që e njohën dhe takuan sikur qoftë dhe një herë, e ishin dëshmitarë të mirësisë së tij.
Varrimi i tij do të bëhet të hënën, më 6 prill 2026, në Velezhë, ku në orën 11:00 do të mbahet mesha e dritës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit një shërbëtori të përulur dhe një njeriu të mirë!
Reagimi i Kishës Katolike Gllogjani:
Dom Kelmend Spaqi (1962–2026) – Meshtari që Qëndroi Mes Nesh, Shpirti i Gllogjanit
Me trishtim të thellë dhe mirënjohje të pakufishme njoftojmë kalimin në amshim të Dom Kelmend Spaqit, ish famullitarit të Kishës së “Shna Ndout” në Gllogjan, i cili do të mbahet mend si simbol i guximit dhe humanizmit.
Qindra mijra qytetarë u mbrojtën dhe u strehuan nga guximi dhe shpirtmadhësia e Dom Kelmend Spaqit. Shumë prej besimtarëve kujtojnë netët e errëta në Gllogjan, kur ai qëndroi gjithmonë mes tyre, duke dhënë siguri, mbështetje dhe shpresë.
Dom Kelmendi ishte mburojë në kohë lufte. Kur dhuna dhe frika mbulonin fshatin, ai strehoi dhjetëra familje brenda kishës, duke i mbrojtur me vendosmëri dhe shpirt të hapur. Siç rrëfente ai:
“Ose më pushkatoni mua e gjithë stafin e kishës, ose nuk prekni asnjërin prej jush.”
Famullia e Gllogjanit do ta kujtojë përjetësisht me krenari, për vlerat, dashurinë dhe shërbimin e tij të palodhur ndaj nesh dhe ndaj Zotit. Dom Kelmendi do të mbahet përgjithmonë në zemrat tona si shenjë e shpresës dhe humanizmit, dhe Kisha e “Shna Ndout” – e njohur sot edhe si Kisha e Shpresës – do të ruajë kujtimin e tij me nderim dhe respekt të thellë.
Qindra e mijëra qytetarë, familje dhe besimtarë do ta kujtojnë përherë, për çdo jetë të mbrojtur, për çdo buzëqeshje të dhënë dhe për çdo mësim të përjetshëm që la pas.
Pusho në paqen e Krishtit, Dom Kelmend, ku sot, në Të Enjten e Madhe, u bëre meshtar i amshuar.
PS:
Në kujtim të tij, më 11 prill në orën 18:00 do të mbahet mesha për shpirtin e tij në Kishën tonë të Gllogjanit, kishë që ai fort e deshi dhe ku shërbeu me zemër të plotë./et
