Faqja e njohur turistike dhe e kulinarisë “Gamberorosso.it” ka folur për bukurinë shqiptare ku vë në dukje juglindjen e Shqipërisë. Aty ku malet anojnë butësisht drejt luginave që ndjekin rrjedhën e lumit të fundit të egër të Evropës, Vjosës, ndodhet një vend që pothuajse nuk shfaqet kurrë në guidat turistike dhe ai është Leskoviku.
Leskoviku është një krahinë e vogël dhe e izoluar, që deri pak vite më parë jetonte kryesisht me bujqësi familjare, blegtori dhe prodhimin artizanal të verës, por pak i njohur jashtë Shqipërisë.
Sot, Leskoviku po shfaqet fuqishëm si një nga rajonet më interesante të verës në Shqipëri, falë varieteteve të tij të çmuara vendase dhe një mikroklime unike – diapazoneve të gjera të temperaturave, verave të ngrohta por jo me lagështi, dimrave të ashpër dhe reshjeve të shpeshta të dëborës – si dhe investimeve të familjeve vendase që kombinojnë pasionin, traditën dhe cilësinë moderne.
Një territor unik
Pikërisht nga këto vreshta, të fshehura midis rezervateve natyrore Shelegur Germenj dhe Piskal Shqeri, brigjeve të lumit Vjosa, burimeve natyrore të nxehta dhe shpellave nëntokësore, lind një nga verërat e kuqe më të mira të Shqipërisë, që quhet ”Trio3”.
Ajo është prodhuar nga një përzierje origjinale e varieteteve të rrushit: 50% mavrud (një varietet vendas), 30% merlot dhe 20% syrah.
Zbulime shkencore
Pikërisht këtu, ku turistët e huaj janë ende të paktë, në fillim të vitit një ekip speleologësh dhe shkencëtarësh çekë zbuluan liqenin termik më të madh nëntokësor në botë, të quajtur Liqeni Neuron, i emëruar sipas sponsorit të ekspeditës, fondacionit ”Neuron”.
Rezultatet e zbulimit treguan se liqeni përmban mbi 8 000 metra kub ujë, ekuivalent me rreth katër pishina me madhësi olimpike.
Për të përkujtuar këtë zbulim historik dhe për të nderuar rajonin, kantinta kanë krijuar ”Neuron”-in, një verë të kuqe të prodhuar ekskluzivisht nga rrushi mavrud.
Nuk është vetëm një homazh për një zbulim të jashtëzakonshëm shkencor, por edhe një deklaratë identiteti, pasi ”Neuron” është një verë e rrënjosur në një tokë ende sekrete, që kombinon thellësitë natyrore dhe kulturore.
Në çdo gllënjkë, mund të gjesh karakterin e egër të Leskovikut, ngrohtësinë nëntokësore të liqenit dhe vizionin e atyre që aspirojnë ta transformojnë kujtesën e rajonit në një përvojë shqisash. /K.M
