Last Updated on 18/02/2026 by Anisa
Me hapjen e perdes që ndan galerinë nga salla e gjyqit, katërshja e UÇK-së ka përshëndetur familjarët që sot kanë ardhur në numër të madh në ndërtesën e Speciales.
Secili, gjatë kohës sa pritej të hynte në sallë trupi gjykues, kanë parë në anën e majtë të tyre dhe u kanë buzëqeshur e përshëndetur me dorë ata.
Rexhep Selimi është parë duke bërë me duar një shenjë zemre ndaj të afërmve. Sot ndodhet e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Shqipe Selimi.
Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë vijon dhe në seancën e sotme do të paraqiten deklaratat përmbyllëse të përfaqësuesit të viktimave, të mbrojtjes dhe do të flasin edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Katërshja e UÇK-së do t’i drejtohet trupit gjykues me fjalime nga 20 minuta secili.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit./A.D
