Lionel Messi u rikthye në fushë pas ditëve të vështira që pasuan ndarjen nga jeta të babait të tij, Jorge Messi, por rikthimi i yllit argjentinas nuk mjaftoi për të shpëtuar Inter Miamin nga eliminimi në Leagues Cup.
Messi e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në pjesën e dytë, duke bërë rikthimin e tij pas udhëtimit drejt Argjentinës për ceremoninë mortore të babait, i cili ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare.
Sapo doli në fushë, “pleshti” u prit me një ovacion të madh nga tifozët në Miami. Emri i tij ishte dëgjuar edhe gjatë pjesës së parë, me mbështetësit që thërrisnin “Leo, Leo” në shenjë mbështetjeje për kapitenin e tyre në një moment të vështirë personal.
Messi luajti të gjithë pjesën e dytë dhe u përpoq të ndryshonte fatin e skuadrës, por këtë herë magjia e tij nuk ishte e mjaftueshme.
Inter Miami humbi 2-3 ndaj Leónit meksikan dhe u eliminua nga Leagues Cup. Skuadra amerikane kaloi në avantazh në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit ndeshja u bë shumë më e hapur. Leóni shënoi golin vendimtar në minutën e 85-të, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin në çerekfinale.
Për Inter Miamin, Leagues Cup mbyllet me një fitore dhe dy humbje. Messi, ndërkohë, rikthehet në fushë pas një prej momenteve më të dhimbshme të jetës së tij, por pa mundur ta shoqërojë këtë rikthim me një rezultat pozitiv.
Tashmë, Inter Miamit i mbetet kampionati MLS si objektivi kryesor për pjesën e mbetur të sezonit./ad
