Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi të dielën se është “i kënaqur” me ashpërsimin e kushteve për të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite.
Ai theksoi gjithashtu se mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kushtet në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Deklaratat e ministrit u bënë gjatë një bisede me disa gra të burgosura palestineze, e cila u publikua në një video në platformën sociale amerikane X.
Njëra prej të burgosurave i tha Ben-Gvir se kushtet në burg ishin shumë të këqija dhe se gratë nuk kishin akses as në nevojat bazë personale.
“Është dita jonë e tretë pa bërë dush. Nuk po marrim trajtim mjekësor dhe rrobat tona nuk janë të pastra”, u shpreh ajo.
Në përgjigje, Ben-Gvir tha se kushtet e mira që, sipas tij, ekzistonin më parë në burgjet izraelite, tashmë kanë përfunduar.
“Ankimi i terroristëve për kushtet në burgje nuk ndikon tek unë”, shkroi ministri në postimin që shoqëronte videon.
Kur e burgosura i kërkoi që kushtet e ndalimit të përmirësoheshin, Ben-Gvir e refuzoi kërkesën.
Nuk është hera e parë që ministri izraelit përballet me akuza për sjellje tallëse ndaj të burgosurve palestinezë.
Në fillim të gushtit, ai u filmua duke iu drejtuar një të burgosure palestineze që ankohej për kushtet e këqija dhe mungesën e nevojave bazë, duke i thënë se “burgu nuk është hotel”.
Që prej marrjes së detyrës në fund të vitit 2022, Ben-Gvir ka mbështetur masa për forcimin e kufizimeve dhe ashpërsimin e kushteve të ndalimit për palestinezët.
Sipas raporteve të cituara për të drejtat e njeriut, këto politika kanë përfshirë kufizime të ushqimit, neglizhencë mjekësore, izolim dhe akuza për torturë.
Rreth 9.500 palestinezë raportohet se mbahen aktualisht në burgjet izraelite, mes tyre 94 gra dhe më shumë se 350 fëmijë.
Raportet palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime për kushtet e tyre të ndalimit, duke përfshirë urinë, keqtrajtimin dhe mungesën e kujdesit të duhur mjekësor./mxh
