Last Updated on 18/03/2026 by Anisa
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një vizitë në Senati i Spanjës, ku u takua me drejtues të lartë të këtij institucioni, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjes për integrimin europian të Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Madrid, Hoxha u prit nga Zëvendëskryetari i Parë i Senatit, Javier Maroto, Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme, Pilar Rojo Noguera, si dhe anëtarë të tjerë të Senatit.
Në fokus të takimeve ishin diskutimet mbi procesin e zgjerimit të Bashkimi Evropian dhe ecurinë e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim. Palët rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për një proces të besueshëm, të drejtë dhe të bazuar në meritë.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë. Ai bëri të ditur se në takime u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi marrëdhëniet transatlantike dhe rolin në rritje të diplomacisë parlamentare.
Vizita në Senatin spanjoll vjen në vijim të angazhimeve diplomatike të Shqipërisë për të forcuar partneritetet me vendet anëtare të BE-së dhe për të avancuar procesin e integrimit europian.
Kënaqësi e veçantë të vizitoj Senatin e Spanjës dhe të takohem me Zëvendëskryetarin e Parë, z. Javier Maroto, Kryetaren e Komisionit për Punët e Jashtme, znj. Pilar Rojo Noguera, si dhe me anëtarë të Senatit në Madrid.
Zhvilluam diskutime të thelluara mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe ecurinë e negociatave të Shqipërisë, duke rikonfirmuar angazhimin tonë të përbashkët për një proces anëtarësimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Spanjës, ndërsa shkëmbyem gjithashtu pikëpamje mbi marrëdhëniet transatlantike dhe rolin në rritje të diplomacisë parlamentare.
