Last Updated on 09/08/2026 by Anisa
Situata e zjarreve në vend paraqitet përgjithësisht e stabilizuar dhe nën kontroll, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë ndërhyrjet në disa vatra aktive dhe monitorimin e zonave të prekura. Sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa në disa qarqe vijon puna për shuarjen përfundimtare të vatrave dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizim.
Njoftim për mediat:
Ministria e Mbrojtjes – Informacion i përmbledhur mbi situatën e zjarreve
(9 gusht 2026, ora 10:30)
Ministria e Mbrojtjes informon se bazuar në raportimet e strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, situata e zjarreve në vend paraqitet përgjithësisht e stabilizuar dhe nën kontroll, ndërsa vijon puna në disa vatra aktive dhe monitorimi i zonave të prekura. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
QARKU TIRANË:
Në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita, vijon monitorimi i vatrës së zjarrit.
Në Cikallesh, Kavajë, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë vijon të jetë aktiv, por situata nuk paraqitet problematike dhe po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse, pas mbështetjes edhe me mjet ajror të FA-së.
Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të vatrave të vogla.
QARKU FIER:
Në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër, zjarri është aktualisht nën kontroll.
Edhe zjarri që ka avancuar nga Hekali drejt zonës Koilac–Greshicë është nën kontroll.
QARKU DURRËS:
Në Abaze, Krujë, situata është stabilizuar dhe zjarri është nën kontroll. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me tym, ndërsa vijon ndërhyrja dhe monitorimi me 2 helikopterë, 30 efektivë të FA-së me 2 mjete zjarrfikëse, si dhe 12 efektivë dhe 3 mjete të MZSH Krujë.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren deri në eliminimin e plotë të çdo vatre./ad
