Last Updated on 17/07/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishin të pranishëm këtë të premte në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.
Ministrja Ibrahimaj prezantoi skemën “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një program që synon të mbështesë bizneset shqiptare përmes lehtësimit të aksesit në financim, me qëllim rritjen e investimeve, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në tregjet europiane.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj vuri theksin te rritja ekonomike e viteve të fundit dhe te nevoja për të mbështetur ndërmarrjet e reja që po shtohen në vend.
“Në vitet e fundit kemi parë një ekonomi që është rritur nga viti në vit me 4%, një ekonomi në të cilën numri i sipërmarrjeve rritet me norma dyshifrore. Kemi rreth 12 mijë sipërmarrje të reja, të cilat do të vazhdojmë t’i mbështesim.
Duam të jemi partner i rritjes së investimeve në çdo biznes. Ky program është bazuar në nevojat që tregu kishte. Aksesi në financa është një instrument thelbësor për rritjen e investimeve. Problematikat kryesore kanë qenë normat e larta të interesit, kolaterali dhe madhësia e biznesit. Për këtë kemi ndërtuar një program në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar. Ne duam t’i japim mundësi sipërmarrjes shqiptare të zgjerojë aktivitetin dhe të rrisë standardet sipas kërkesave të tregjeve europiane.
Kredia është rritur për bizneset. Ka pasur më shumë financime në dispozicion. Vetëm 26 për qind e kredisë për biznese shkon për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Ne duam që të mbështesim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sepse përbëjnë mbi 88 për qind të punësimit. Pra, kanë një kontribut tepër të rëndësishëm në ekonomi. Ato duhet të fuqizohen nga ana teknologjike dhe ekonomike. Të gjitha bizneset të drejtohen në banka dhe të pyesin për nismën “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, u shpreh ajo./ad
