Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala ka dalë në një konferencë për mediat mëngjesin e kësaj të enjteje, ku po flet prioritetet aktuale të qeverisë, ku më kryesore ishte reformimi i shërbimit onkologjik.
“Sot dua të ndaj me ju, jo vetëm çfarë kemi bërë në këto 6 muaj, por ku do shkojmë. Është shumë e rëndësishme ku do shkojmë, sepse reforma nuk është thjesht një akt administrativ që mbetet në letër, është një akt përgjegjësie ndaj qytetarëve.
Diagnostikimi i saktë sjell shërim të sëmundjes dhe ne po punojmë me të gjitha fuqitë, për një zgjidhje afatgjatë. Jo vetëm për 1, por për shumë zgjidhje afatgjata.
Më lejoni të përmend prioritetet në Shëndetësi. Së pari, reformimi i shërbimit onkologjik, siç e kam thënë disa herë është një prioritet kombëtar. Sëmundjet tumorale janë një sfidë globale, pasi kanceri po kalon në incidencë sëmundje kardiake, pra po kthehet në sëmundje kronike. Për këtë arsye, 2026 është viti i organizimit të plotë të shërbimit onkologjik. Kemi ngritur grupin e punës për krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe rrjetit kombëtar të sëmundjeve tumorale. Kemi nisur analizën e plotë të situatës aktuale, siç e thashë diagnostikimi është një fillim shumë i mirë, për këtë po shohim shpërndarjen sipas rajoneve, kapacitetet… Nga bordi i tumoreve në QSUT në bashkëpunim me Institutin Nacional të Tumoreve në Milano, kemi miratuar 30 protokolle të unifikuara trajtimi.”, tha ministrja Sala.
Më tej, ministrja theksoi se dëshironte të informonte publikun mbi vendimin e marrë një ditë më parë nga bordi i QSUT-së për krijimin e Qendrës së Gjirit: “Doja të ndaja sot me ju, vendimine miratuar një ditë më parë në bordin e QSUT-së, për ngritjen e qendrës së Gjirit, ajo që Breast unit. Kjo do të krijojë kushte për trajtimin me qasje multidisiplinare për trajtimin e pacientëve me kancer të gjirit.”/kb