Last Updated on 31/08/2026 by Anisa
Mira Murati thotë se dëshiron që ju të keni një mundësi për të zgjedhur: Kështu e nis revista e njohur TIME artikullin e saj kushtuar shqiptares së famshme, emrin e të cilës ka vendosur ta përfshijë në listën e 100 personave me ndikim më te madh në zhvillimin dhe drejtimin e Inteligjencës Artificiale në mbarë botën.
Një vlerësim aspak i vogël ky për si ish drejtuesen e teknologjisë në OpenAI, që është kthyer në njërin prej figurave me origjinë shqiptare më në zë të industrisë së AI-t. Lista e këtij viti përfshin drejtues të kompanive më të mëdha të teknologjisë, studiues, sipërmarrës, politikëbërës, artistë dhe figura të industrisë kreative, në një periudhë kur zhvillimi i AI po ndikon gjithnjë e më shumë në ekonomi, shoqëri dhe kulturë.
Murati shfaqet në kopertinën globale të TIME100 AI 2026, përkrah disa prej figurave më të rëndësishme të industrisë së teknologjisë, mes tyre Sam Altman, Elon Musk, Dario Amodei, Jeff Bezos, Larry Ellison, Ilya Sutskever, Fei-Fei Li, Arvind Krishna dhe Eddie Wu. TIME i ka ndarë 100 figurat e listës në katër kategori: Liderë, Inovatorë, Formësues dhe Mendimtarë. Lista shkon përtej sektorit të teknologjisë, duke përfshirë edhe figura nga politika, biznesi, arti dhe organizatat ndërkombëtare.
Kryeredaktori i TIME, Sam Jacobs, tha se lista e këtij viti pasqyron një industri të Inteligjencës Artificiale gjithnjë e më “shpërthyese por edhe përçarëse”, ku ndërthuren dhe përplasen interesa teknologjike, ekonomike, politike dhe krijuese.
Lista e TIME përfshin gjithashtu një numër të konsiderueshëm figurash nga industria kineze e teknologjisë dhe AI, duke reflektuar konkurrencën në rritje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për zhvillimin dhe dominimin e teknologjive të Inteligjencës Artificiale./ad
