Last Updated on 22/04/2025 by adminfjala
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të turit elektoral që po zhvillon në të gjithë vendin për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ishte sot në qarkun e Gjirokastrës, ku bëri jo vetëm vizita dhe inspektime, por edhe takime si ai me operatorët turistikë.
Pas këtij bashkëbisedimi, kryeministri mori edhe takim me gratë e vajzat e qarkut Gjirokastër, një ‘ritual’ politik që ai e ka kthyer në mision elektoral si risi për një parti politike, duke mos munguar metaforat politike, ironitë për kundërshtarët dhe deri te “thumbimi” i ‘burrave çyrykë që votojnë kënetën’.
“Voto 5! Gjirokastra është grua, Shqipëria është grua, Europa është grua!”, shprehej kryeministri në llogarinë e tij në Facebook në nisje të takimit.
Në hapje të takimit, një prej grave përfaqësuese të strukturës socialiste u shpreh mes të tjerash:
“Kryeministër Edi Rama, mirëseerdhe te gratë e dashura të zemrës tënde…!”
Por para se ministrja dhe drejtuesja politike e PS për qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro, të merrte fjalën, Rama u mirëprit edhe me një këngë polifonike nga grupi i qytetit.
Kumbaro përshëndeti të pranishmit, edhe përfaqësuesit minoritarë në gjuhën greke, teksa vlerësoi edhe marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe zhvillimin në këtë qark me investime dhe projekte nga qeveria./e.t