Last Updated on 03/07/2026 by EL
Mizat tërhiqen nga aroma e ushqimit, koshat e mbeturinave dhe gjëra të tjera me erë që mund të gjenden në shtëpi. Prania e mizave nuk është vetëm bezdisëse, por ato mund të përhapin edhe baktere dhe sëmundje.
Edhe pse pastrimi i rregullt dhe largimi i mbetjeve ushqimore apo lëngjeve të derdhura është mënyra më e mirë për të shmangur tërheqjen e mizave, ndonjëherë mund të nevojitet edhe një zgjidhje shtesë.
Pasi disa miza hyjnë në kuzhinë, ato mund të jenë të vështira për t’u larguar. Shpesh nuk arrijnë të dalin përsëri nga dritarja prej nga kanë hyrë dhe përfundojnë duke fluturuar nëpër të gjithë shtëpinë në kërkim të një daljeje.
Kjo bën që shumë njerëz t’i ndjekin me sprej kundër insekteve, duke shpresuar t’i largojnë ose t’i nxjerrin jashtë përmes një dritareje të hapur, përpara se ato të shtohen në shtëpi. Megjithatë, ekziston edhe një mënyrë natyrale që mund t’i mbajë larg.
Për të ndihmuar të tjerët, një grua me emrin Sharan ndau një truk të thjeshtë se si mund të parandaloni hyrjen e mizave në shtëpi. Për këtë ju duhen vetëm dy përbërës natyralë dhe të lirë.
Si t’i mbani mizat larg shtëpisë
“Është verë në Mbretërinë e Bashkuar dhe mizat po hyjnë në shtëpi nga të gjitha anët. Prandaj dua t’ju tregoj një truk se si t’i mbani larg,” tha Sharan në fillim të videos së saj në TikTok.
“Gjithçka që ju nevojitet është një limon dhe disa karafila aromatikë,” shtoi ajo.
Në video, Sharan e pret limonin përgjysmë dhe më pas ngul karafilat aromatikë në tulin e tij, duke i vendosur në mënyrë të barabartë.
Ajo këshillon që gjysmat e limonit t’i vendosni pranë dritareve ose mbi tavolina, pasi sipas saj ato ndihmojnë në mbajtjen larg të mizave. Mund t’i vendosni gjithashtu në tasat me fruta, mbi banakun e kuzhinës ose në çdo vend tjetër ku zakonisht shfaqen mizat.
A funksionon vërtet?
Po. Kombinimi i limonit dhe karafilit aromatik konsiderohet një mënyrë natyrale dhe efektive për të larguar mizat e zakonshme të shtëpisë dhe mizat e frutave. Mizat kanë një nuhatje shumë të zhvilluar dhe aroma e fortë e agrumeve e kombinuar me atë të erëzës ua ngatërron orientimin dhe ua vështirëson gjetjen e ushqimit.
Kjo metodë bazohet në vajrat aromatikë që çlirojnë të dyja bimët. Limoni përmban limonen, një përbërës që gjendet kryesisht në lëkurën e limonit dhe që pengon aftësinë e mizave për të lokalizuar ushqimin. Ndërsa karafili aromatik përmban eugenol, një substancë me aromë të fortë dhe pikante, të cilën insektet e konsiderojnë shumë të pakëndshme.
Ky truk i thjeshtë dhe me kosto të ulët është veçanërisht i dobishëm për t’i mbajtur larg insektet gjatë vakteve në ambiente të brendshme, por edhe gjatë ngrënieve në natyrë gjatë verës.
Megjithatë, limonët me karafila duhet të zëvendësohen çdo disa ditë. Sapo limoni të thahet ose të fillojë të kalbet, ai nuk do t’i largojë më mizat, përkundrazi mund t’i tërheqë ato./et
