Last Updated on 09/10/2025 by adminfjala
Mijëra dronë luftarakë kamikazë kanë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për përdorimin e të cilëve dhjetëra ushtarakë të FSK-së do të trajnohen. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti. “Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët”, ka shkruar Kurti. Ai ka sqaruar edhe përdorimin e këtyre dronëve. “Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”.
Kurti ka shtuar se po vazhdojnë të shtojnë fuqinë goditëse të FSK-së, me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.
“Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”. “Skydagger” është një seri dronësh taktikë të prodhuar nga kompania turke Skydagger Elektronik Sanayi ve Ticaret A.Ş., e specializuar në zhvillimin e teknologjive të avancuara për mbrojtje dhe siguri. Këta dronë janë dizajnuar për përdorim ushtarak dhe përfshijnë modele të ndryshme, të afta për survejim, zbulim objektivash dhe misione të tipit “kamikazë”. Modeli më i njohur, Skydagger 15, mund të qëndrojë në ajër deri në 36 minuta, të arrijë shpejtësi prej rreth 130 kilometrash në orë dhe të mbajë ngarkesa deri në 5 kilogramë. Ai përfshin një sistem të dyfishtë kamerash./E.T
