Last Updated on 19/04/2026 by Monika
Ish-presidenti pro-rus i Bullgarisë, Rumen Radev, ka deklaruar se vendi i tij synon të zhvillojë marrëdhënie praktike me Rusinë, të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe trajtim të barabartë.
Në një prononcim për mediat, Radev theksoi rëndësinë historike të rolit të Rusisë në çlirimin e Bullgarisë, duke shtuar se kjo nuk duhet harruar. Megjithatë, ai nënvizoi se marrëdhëniet aktuale duhet të ndërtohen mbi një qasje pragmatike, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe sigurisë.
Sipas tij, e ardhmja e Europës dhe Rusisë duhet të mbështetet në një marrëveshje të qëndrueshme sigurie, të cilën ai e konsideron thelbësore për stabilitetin afatgjatë.
Duke folur për situatën e brendshme, Radev deklaroi se në lojë është e ardhmja e Bullgarisë, duke kërkuar një rrugë drejt një shteti demokratik dhe modern europian, ku qytetarët të jenë të lirë të shprehin zërin e tyre.
Ai theksoi gjithashtu nevojën urgjente për reforma institucionale, duke përmendur zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm si hapa të parë. Paralelisht, Radev kërkoi një program të fortë parlamentar për të ndihmuar qytetarët bullgarë të përballojnë situatën e vështirë ekonomike dhe sociale në vend./mxh
