Last Updated on 01/07/2026 by Anisa
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi të martën forcat e armatosura izraelite të shkatërrojnë plotësisht atë që e cilësoi si infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut në jug të Libanit.
Deklarata u bë gjatë një vizite te trupat izraelite të dislokuara në zonë, ndërsa zyra e tij publikoi detaje të mesazhit përmes rrjetit social X.
Netanyahu theksoi se operacionet duhet të përfshijnë çdo objekt të përdorur nga Hezbollahu, si mbi tokë ashtu edhe nën tokë, duke iu referuar veçanërisht rrjetit të tuneleve që, sipas Izraelit, përdoren për sulme ndaj veriut të vendit.
“Ky është urdhri i ri, mos lini asgjë në këmbë dhe zbatojeni atë”, deklaroi ai para ushtarëve.
Kryeministri izraelit u kërkoi forcave të veprojnë menjëherë sa herë që identifikohet një kërcënim, pa pritur urdhra të tjerë. Ai shtoi se Izraeli nuk do të tërheqë trupat nga zonat që kontrollon në jug të Libanit derisa Hezbollahu të jetë çarmatosur plotësisht dhe, sipas tij, kërcënimi të jetë eliminuar.
Netanyahu e cilësoi Hezbollahun si hallkën më të rëndësishme të asaj që Izraeli e quan “boshti i rezistencës”, aleanca e grupeve të mbështetura nga Irani në rajon. Ai pretendoi se nga rreth 150 mijë raketat që lëvizja zotëronte, kanë mbetur vetëm 8%, ndërsa tha se rreth 9 mijë luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë gjatë operacioneve në Liban.
Nga ana tjetër, Hezbollahu dhe qeveria libaneze e konsiderojnë praninë e forcave izraelite në jug të vendit si një pushtim dhe kundërshtojnë krijimin e një “zone sigurie” nga Izraeli, duke e cilësuar atë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas mediave libaneze, territori i kontrolluar aktualisht nga Izraeli në jug të Libanit përllogaritet në rreth 620 kilometra katrorë, ose afërsisht 6% të territorit të vendit. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të bëjë thirrje për ulje të tensioneve dhe shmangie të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit./ad
