Last Updated on 04/02/2025 by adminfjala
Partia Socialiste ka reaguar ashpër ndaj kërkesave të opozitës lidhur me kushtëzimin për të lejuar votimin e emigrantëve me dokumente të huaja për zgjedhjet e 11 majit.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka deklaruar se opozita po përdor këtë kërkesë si një alibi për të prishur zgjedhjet dhe për të krijuar pengesa për realizimin e reformave të nevojshme. Balla theksoi se diskutimi për këtë çështje është mbyllur që në vitin 2008, kur u bë reforma dhe u vendos se nuk mund të votohet me dokumente të huaja. Ai shtoi se KQZ ka ngritur një infrastrukturë për verifikimin e dokumenteve, dhe se asnjë shtet nuk mund të ofrojë akses në bazat e të dhënave për verifikim të këtyre dokumenteve.
Balla theksoi se opozita nuk po vepron për të fituar zgjedhjet, por për të ruajtur një grup besnikësh për Sali Berishën, dhe se këto lëvizje janë në dëm të procesit demokratik. Ai i bëri thirrje opozitës të reflektojë dhe të mbështesë ligjet që do të mundësojnë mbështetje financiare për kthimin e zarfit të votës së diasporës, fond që do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Balla është i prerë se, pavarësisht pozicionit të opozitës, vota e diasporës do të numërohet.
Ai gjithashtu e konsideroi të domosdoshme miratimin e tre çështjeve të tjera që lidhen me zgjedhjet, përfshirë pagesën e postës për kthimin e zarfit të votës, zgjerimin e afatit të regjistrimit për partitë dhe koalicionet, dhe rritjen e afateve të regjistrimit për 10 ditë.
Në fund, Balla i bëri thirrje shqiptarëve, sidomos atyre në diasporë, të mbështesin PS-në dhe të kontribuojnë në arritjen e 84 mandateve, duke theksuar se kjo është e nevojshme për të avancuar reformat që do të sjellin Shqipërinë më afër Bashkimit Europian./ S,M