Rusia deklaron se nuk ka asnjë arsye për të besuar se India ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me importet e naftës ruse, pavarësisht marrëveshjes tregtare që Nju Delhi ka arritur së fundmi me Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha në një konferencë javore për shtyp se pozicioni i Indisë është i njohur prej kohësh dhe është konfirmuar vazhdimisht nga udhëheqja indiane, si publikisht ashtu edhe në kontaktet dypalëshe me Moskën.
Sipas Zakharovës, India merr vendime sovrane në fushën e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar, duke u udhëhequr vetëm nga interesat e saj kombëtare dhe nga leverdia tregtare. Ajo shtoi se Moska nuk sheh asnjë shenjë se partnerët indianë kanë rishikuar këtë qasje.
Zëdhënësja ruse theksoi gjithashtu se blerjet e hidrokarbureve ruse nga India janë të dobishme për të dyja vendet dhe kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të tregut ndërkombëtar të energjisë. Rusia, sipas saj, mbetet e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Indinë në këtë sektor.
Deklaratat u bënë në Moskë, në një moment kur marrëdhëniet energjetike mes Rusisë dhe Indisë po ndiqen nga afër nga partnerët perëndimorë, për shkak të sanksioneve ndaj Moskës dhe ndryshimeve në tregjet globale të energjisë./mxh
