Për Elon Musk, termi “hardcore” përfaqëson ato momente kritike kur kërkohet një përpjekje ekstreme për të ringritur një kompani që nuk po funksionon sipas pritshmërive dhe pikërisht këtë lloj ristrukturimi agresiv ai sapo ka dekretuar për xAI.
Njeriu më i pasur në botë, i ndodhur në një garë të ethshme për të dominuar inteligjencën artificiale, po përpiqet me çdo kusht të mbajë hapin e rivalëve të tij të fuqishëm si Google, OpenAI dhe Anthropic, duke shkrirë fuqinë e rrjetit X dhe mendimin e robotit Grok me teknologjinë e raketave të SpaceX.
Për të zgjidhur ngecjen e algoritmeve, Musk ka thirrur “forcat speciale” të menaxherëve të tij më besnikë nga Tesla dhe SpaceX, duke larguar njëkohësisht një pjesë të stafit dhe bashkëthemeluesve që nuk arritën të krijonin mjete programimi në lartësinë e duhur.
Ky proces i rindërtimit të kompanisë “nga themelet” po kryhet me një nxitim të jashtëzakonshëm, pasi objektivi i madh mbetet nxjerrja në bursë e SpaceX brenda tremujorit të dytë të vitit, në atë që parashikohet të jetë oferta fillestare më e madhe në histori, me një vlerë që mund t’i afrohet dy mijë miliardë dollarëve.
Sfidat janë tejet komplekse, duke pasur parasysh vonesat teknologjike të Grok në krahasim me modele si GPT apo Gemini, si dhe konkurrencën e ashpër për talente dhe fuqi llogaritëse. Megjithatë, Musk duket i vendosur të mos ndalet, ndërsa paralelisht vijon betejën e tij ligjore kundër ish-mikut Sam Altman dhe OpenAI, të cilët i akuzon për tradhti ndaj misionit fillestar jofitimprurës të startup-it.
Në prag të seancës së parë gjyqësore në Kaliforni, Musk kërkon një dëmshpërblim astronomik prej 134 miliardë dollarësh, një shifër që shumë ekspertë e konsiderojnë fantastike, por që ai ka premtuar se do ta dhurojë të gjithën për bamirësi nëse fiton. Me një pasuri personale që vlerësohet në 835 miliardë dollarë, strategjia e tij mbetet e njëjtë: presion maksimal, ndryshime rrënjësore dhe një luftë e hapur në të gjitha frontet për të siguruar supremaci në fushën e teknologjisë që po ndryshon botën./kb
