Tensione janë shënuar të premten, 14 gusht, në Beit Sahour, në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku aktivistë palestinezë dhe izraelitë shoqëruan pronarë palestinezë në tokat e tyre, të kërcënuara nga kolonët izraelitë.
Aktivistët thanë se synonin të mbështesnin dhe mbronin pronarët lokalë, të cilët, sipas tyre, janë penguar të hyjnë, të kultivojnë dhe të kujdesen për tokat e tyre.
Në terren u panë kolonë izraelitë të armatosur, të cilët mbanin flamuj dhe u përplasën verbalisht me aktivistët. Në zonë ishin të pranishme edhe forcat izraelite.
Rana Salman, drejtuese ekzekutive e organizatës Combatants for Peace, tha se kishte marrë pjesë në aksion për të mbështetur pronarët palestinezë dhe për të kundërshtuar pengimin e tyre në tokat që u përkasin.
Bregu Perëndimor u pushtua nga Izraeli në luftën e vitit 1967 dhe palestinezët e konsiderojnë atë pjesë thelbësore të territorit të një shteti të ardhshëm të pavarur.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 18 palestinezë janë vrarë këtë vit në incidente të lidhura me sulmet e kolonëve, ndërsa gjatë gjithë vitit 2025 u regjistruan 17 viktima të tilla.
Në Bregun Perëndimor jetojnë rreth tre milionë palestinezë dhe rreth 500 mijë kolonë izraelitë. Sipas organizatës izraelite “Peace Now”, në territor ndodhen rreth 146 vendbanime izraelite dhe rreth 390 pika më të vogla të kolonëve.
Statusi i vendbanimeve mbetet një nga çështjet më të debatueshme të konfliktit. Kombet e Bashkuara dhe shumica e vendeve i konsiderojnë vendbanimet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa Izraeli e kundërshton këtë qëndrim dhe argumenton se prania hebraike në Bregun Perëndimor ka rrënjë historike mijëravjeçare./mxh
