Ikona e kinematografisë hungareze, Bela Tarr, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, njoftoi me pikëllim Shoqata e Artistëve të Filmit në Hungari.
Tarr, i lindur në vitin 1955 në Pecs, nisi karrierën e tij si regjisor amator në moshën 16-vjeçare. Më vonë punoi në studion Balazs Bela, një qendër e rëndësishme për prodhimin e filmave eksperimentalë, ku realizoi edhe filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë, The Family Nest, në vitin 1977, duke eksploruar çështje shoqërore.
Gjatë karrierës së tij, Tarr krijoi disa filma të shquar, si Damnation (1988) dhe The Prefab People (1982), të cilët portretizojnë dobësinë njerëzore dhe përkeqësimin social. Stili i tij unik kinematografik, i njohur për skenat e zgjatura pa ndërprerje dhe pasqyrimin e ashpër të dëshpërimit ekzistencial, u njoh ndërkombëtarisht me eposin e gjatë të vitit 1994, Sátántangó, një kryevepër shtatë orë e gjysmë që shpesh konsiderohet si një nga filmat më të mëdhenj të shekullit të 20-të.
Filmat e tij të tjerë të vlerësuar përfshijnë Werckmeister Harmonies (2000) dhe The Turin Horse (2011), ky i fundit që fitoi Çmimin e Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin dhe shërbeu si filmi i fundit i Tarr.
Bela Tarr do të mbetet një nga regjisorët më ndikues të kinemasë moderne, i njohur për vizionin e tij të thellë artistik dhe për ndikimin e tij të qëndrueshëm në kinemanë botërore./mxh
