Last Updated on 30/07/2025 by adminfjala
Aktivistja Evi Kokalari ka hedhur akuza të forta ndaj klaneve brenda Partisë Demokratike, duke zbuluar prapaskenat e bujshme që po zhvillohen në selinë blu.
Kokalari e parqet alarmante situatën në PD, ku sipas saj demokratët “po hanë kokat e njëri-tjetrit”. Reagimi i ashpër i aktivistes vjen pas postimit të fundit të gazetarit Çim Peka në rrjetet sociale, i cili theksoi se Partia Demokratike është tradhtuar nga aleatët e saj, duke akuzuar drejtpërdrejt Belind Këlliçin.
Kokalari ka zbuluar manipulimet, planet e fshehta dhe pazaret brenda PD. Ajo theksoi se Belind Këlliçi, që në shkrimin e saj quan me ironi “tullumbaci”, po përgatitet “t’i ngulë thikën pas shpine” Sali Berishës.
Kokalari tregon se ka qenë ndër të parat që ka ngritur alarmin për përpjekjet për të marrë partinë përmes manipulimit të Këshillit Kombëtar dhe garës për bashkinë e Tiranës, duke nënkuptuar marrëveshje të pista me Erion Veliajn dhe Ilir Metën. Aktivistja theksoi se paralajmërimet e saj për rrezikun e kapjes së partisë nga grupe të lidhura me interesa korruptive nuk u morën seriozisht në kohën e duhur dhe tani “të gjithë janë fajtorë dhe të gjithë duhet të ikin”. Evi Kokalari e bën të qartë se kjo është një betejë që nuk ka të bëjë më me ide apo të ardhmen e demokratëve, por me pushtet dhe mbijetesë politike.
Reagimi i plotë i Evi Kokalarit
“Jemi tek pika kur në PD, po hanë kokën e njëri-tjetrit dhe unë kam bërë gati kokoshkat! Mos bëni asnjë gabim, strategu i Hasit është thjeshtë megafon dhe thotë ato që Berisha nuk i thotë dot vet publikisht. Ndërkohë, tullumbacin e përdorën aq sa ju duhej për zgjedhjet e bashkisë dhe Kullën e Malit, dhe po e hedhin si plehrë në kosh. Jo se nuk e meriton. Ky ka qenë plani i këtij budallës dhe një grupi tjetër në atë parti, që mendonin se do të merrnin PD-në, që kur manipuluan Këshillin Kombëtar që të kishin shumicën e votës gjatë garave të brendshme, ndërkohë që donte të bëhej sekretar partie pikërisht ky vet, në mënyrë që tashti që Berisha refuzon të jap dorëheqjen në bazë të statutit ‘Basha’ që vet aprovoi, ky me votën e këshillit kombëtar ta hiqte.
Në atë kohë, mbështeta Flamur Nokën për sekretar pikërisht sepse e dija që ishte më besnik dhe ndërkohë kisha akoma shumë besim tek Berisha. Kjo ka qenë arsyeja pse jam sulmuar në mënyrat më vulgare nga kërmat e CNA-së dhe disa të tjerëve, dhe Berisha, meqë i duhej tullumbaci për bashkinë, dhe pse dukej i mërzitur me Këlliçin, ju desh të mbante deri diku anën e tij. Në fakt, menaxhimi që i bën kësaj situate në atë kohë ishte skandaloze, dhe ishte falë këshillave të strategut të Hasit. Kjo situatë më ktheu kundër tyre. Mund të ishin sjellur me shumë më shumë takt, dhe të më kishin folur hapur dhe privatisht në atë kohë, dhe unë do isha larguar prej të gjithë kësaj, që në fakt ishte plani im mbas kuvendit.
Por, të gjithë sulmet që këta vet lejuan ndaj meje dhe që vinin më së shumti nga tullumbaci dhe injorantët e tij dhe fakti që më trajtuan sikur isha e mangët dhe nuk kuptoja, ma kthyen çdo gjë në mision, dhe mbas garës së bashkisë që u vërtetua çdo gjë që kisha dyshuar, vendosa të angazhohesha më shumë. Në fakt sot, dhe me të gjitha çfarë di dhe duke pasur konfirmim të dyshimeve, akoma preferoj Berishën se sa grupin e këtyre morrave, që kanë një jetë që janë trajnuar me kokat e korrupsionit dhe mezi presin t’ju vi rradha për të bërë të njëjtën gjë. Problemi është që këta do jenë shumë më agresivë se ata përpara sepse janë të uritur për pushtet dhe para, por gjithashtu janë një nivel shumë më i ulët intelektual sepse të tillë i mbodhi partia rreth vetes. Alarmin për planet e tullumbacit e vura disa javë përpara Kuvendit të 2022, kur ky dhe familja e këtij thonin lartë e poshtë që do bëhej kryetari i ri i PD-së dhe kam pasur shumë të drejtë.
Këtë ja kam thënë dhe Berishës, dhe mbas një farë kohe, qartazi dukej që mbas këtij ishte vet Ilir Meta, sepse Meta kishte plan të merrte udhëheqjen e PD-së nëpërmjet elementëve të dobët si ky. Ndërkohë strategu ishte që ndërhyri dhe tek Berisha dhe tek Shkëlzeni kur unë luftoja tullumbacin për manipulimet e Këshillit Kombëtar, se po ju bëja dëm për planet që kishin për garën e Bashkisë, dhe mbasi strategut i thashë që më dukej se ky ishte plani i tyre – pazare me Veliajn dhe Metën duke përdorur Këlliçin – ky më censuroi ndërkohë që i jepte platformë tullumbacit që ta promovonte dhe ta bënte gati për zgjedhjet e bashkisë. Demokratët vetë në atë kohë ishin të hutuar dhe s’kuptonin pse Berisha dhe klani i tij po mbështesnin Këlliçin. Vet nuk flisja dot për pazaret e mundshme me Veliajn sepse nuk kisha fakte.
Faktet i bëri publike vet Veliaj, që mbasi mbaruan zgjedhjet këta budallenjtë vazhdonin i binin atij për korrupsion ndërkohë që vet shitën garën duke i futur thikën mbas shpine demokratëve pikërisht për korrupsion të pastër, dhe Veliaj dërgoi një nga këta të partive të reja që tha: ‘Ja ku e keni – Kulla më e lartë në Shqipëri, pronë e Shkëlzenit!!’ Pra, kulla doli në pah se këta janë të pabesë, mbaruan punë dhe vazhdonin i binin atij me të cilin i kishin bërë pazaret. Tashti shoh që shqetësohen për ‘abuzimin’ ndaj Velias në paraburgim. Pa fjalë!! Pse mendoni ju Metës i dhanë të gjithë vëndet e Këshillit Bashkiak, duke lënë jashtë demokratët vet që kishin një jetë që i jepnin maksimumin PDsë? Meta ishte i qartë për Kullën e Malit, dhe përsa kohë ai do të merrte vëndet në Këshillin Bashkiak, ishte mirë sepse partia e tij kishte nevojë për para, diçka që edhe mund të mundësohej nga favoret e bashkisë së Tiranës. Pra, klani Berishës morri lejet e kullës, Meta vendet në Bashki dhe demokratët ngelën me gisht në gojë – si gjithmonë.
Tashti, ka ardhur koha që tullumbaci duke qenë se nuk është sekretar partie dhe nuk e heq dot Berishën apo ti marrë vulën, siç bëri Gaz Bardhi me Bashën që vrapoi me vulë në dorë tek Berisha sapo u kthye Basha, tullumbaci ka zgjedhur një strategji tjetër, që është pak a shumë thikë mbas shpine Berishës. Dhe këtë po ekspozon dhe strategu i Hasit. Pra, Berisha me kamikazët e tij po luftojnë individët që kundrejt dëshirës së demokratëve, vet klani solli në Rithemelim, ndërkohë që thonë se duhet Rithemelim i ri dhe se ai ishte rikthim, duke i dhënë shkelmin këtij grupi. Nuk di si ju duket juve, por në këtë pikë unë jam ulur me kokoshkat në prehër dhe dua të shikoj të gjithë procesin e betejës për ti ngrënë kokën njëri-tjetrit.
Ky pa diskutim është kulmi i kënaqësisë për dikë si unë që luftova gjatë gjithë 2022 për të mbrojtur meritokracinë në atë parti, që këta vetë e vranë, duke filluar me Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe më pas FRPD. Kjo ishte dhe ideja e primareve, të kishte një mekanizëm që funksiononte në bazë të meritokracisë! Në 11 Maj e panë të gjithë që kjo lloj humbje ishte më e thella që nga krijimi i PDsë në 1990, dhe akoma se kuptojnë që humbën sepse të gjithë këta që luftojnë tashti njëri-tjetrin, vranë meritokracinë me duart e tyre dhe me koshiencë të plotë. Të gjithë janë fajtorë dhe të gjithë duhet të ikin, por për momentin, shijoni luftën e brendshme. Jo se nuk e dimë kush do të fitojë”, shkruan Kokalari./E.T