Artisti i njohur kosovar Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin e artit Gjesti, është arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni të zhvilluar në Prishtinë.
Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku forcat e rendit kanë ndaluar këngëtarin për kontroll rutinë. Gjatë kontrollit, policia ka konstatuar se ai dyshohet se posedonte një armë zjarri pa autorizim përkatës.
Pas ndalimit, artisti është shoqëruar menjëherë në stacionin policor, ku është marrë në pyetje nga hetuesit lidhur me prejardhjen e armës dhe arsyet e mbajtjes së saj.
Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, pas shqyrtimit të rastit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që Besart Kelmendi të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, hetimet për këtë incident janë duke vazhduar, ndërsa brenda këtij afati kohor pritet që prokuroria të vendosë nëse do të kërkohen masa të tjera sigurie ndaj artistit nga gjykata kompetente në Prishtinë./mxh
