Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Fatmir Sopi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Shtypi i Ditës dhe Ju”, tha se katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë dëshmive të tyre në Hagë, treguan dinjitet dhe forcë, ashtu siç kanë treguar gjatë gjithë jetës së tyre përballë çdo sfide.
Që nga nëntori i vitit 2020, katër ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Ata ishin dinjitozë, të fortë dhe të paepur përballë çdo sfide. Gjithë jeta e tyre ka qenë një sfidë. Gjithmonë kanë qenë të gatshëm të përgjigjen për atdheun kur ka qenë e nevojshme. Kjo prokurori është në panik sepse nuk ka baza mbi akuzat që ka ngritur. Gjykata dhe prokuroria kanë devijuar nga rruga e vërtetë për të cilën u formua kjo gjykatë, e cila është krijuar nën presion ndërkombëtar. Është e papranueshme,” tha Fatmir Sopi.
Ai komentoi dëshminë që ka dhënë një vit më parë në Hagë: “Kam qenë dëshmitar nën kërcënimin e prokurorisë. Më thanë se nëse nuk do të përgjigjesha, do të mbahesha në burg. Arsyeja pse pranova të dëshmoj ishte pyetja: ‘Çfarë keni fshehur?’ I thashë se nuk kishim fshehur asgjë. Lufta jonë ka qenë e pastër si loti; nuk mbahet mend të kemi bërë masakra, ndryshe nga Serbia që vrau burra, gra e fëmijë. Prandaj dëshmova për pastërtinë e kësaj lufte.”
Sopi theksoi se për ta nuk ekziston asnjë vendim tjetër përveç pafajësisë: “Frika jonë është se kjo gjykatë është politike dhe nuk ka të bëjë me drejtësi. Para asaj gjykate është e gjithë përpjekja jonë shekullore për liri. Për ne, asnjë vendim tjetër përveç pafajësisë nuk është i pranueshëm,” përfundoi ai./A.D
