Fundi i verës është ajo periudha kur të lind dëshira për të ndryshuar diçka te flokët, por jo domosdoshmërisht për të kaluar menjëherë te një transformim i madh.
Pas muajve me diell, det dhe nxehtësi, flokët shpesh duken më të thatë, më të zbehtë ose me tone të padëshiruara. Prandaj, në vend të një ngjyre krejtësisht të re, një nuancë tranzicioni mund të jetë zgjidhja ideale.
Nga nuancat brune të ftohta e me shkëlqim, te biondet e buta dhe bakri i zbutur, këto janë 6 nuancat që funksionojnë perfekt mes verës dhe vjeshtës.

1. Kafe e ftohtë me shkëlqim
Nëse aktualisht keni flokë kafe të çelët, provoni të kaloni një ose dy tone më të errët dhe më të ftohtë. Ky efekt mund të arrihet edhe pa bojë permanente, për shembull me maskë që depoziton pigment, nëse doni ta provoni fillimisht.

2. Bionde kamosh
Kjo ngjyrë është zgjedhja e duhur për biondet që duan të zbusin ngjyrën e verës, pa kaluar ende në tone shumë të errëta. Te Gigi Hadid, baza bionde më e errët shkrihet me balayage të vendosur me kujdes, duke krijuar një efekt multidimensional që ka ende ndjesinë e verës, por duket mjaftueshëm i ngrohtë dhe i sofistikuar për vjeshtë.

3. Kafe me fije karamel
Nëse preferoni nuancat brune të ngrohta, ky është një nga opsionet më të bukura. Baza kafe gështenjë kombinohet me fije karamel të shpërndara si “shirita” nëpër flokë. Rezultati është më shumë dimension, shkëlqim dhe lëvizje.

4. Bionde e artë e zbutur
Biondja e Bella Hadid është ndoshta një nga nuancat më të mira për fundin e verës. Rrënjët më të errëta kalojnë gradualisht në tone të arta.

5. Kafe e butë
Nëse kërkoni një brune natyrale, të butë dhe që duket shumë e shëndetshme, “teddy bear brunette” është një nga nuancat më të lehta për t’u mbajtur. Ngjyra e Hailey Bieber kombinon tone pak të ftohta dhe pak më të ngrohta, duke krijuar një efekt “velvet”. Disa fije shumë të lehta rreth fytyrës mund t’i japin edhe më shumë dimension.

6. Bakër i errët
Nëse doni pak më shumë ndryshim, por jo të kuqe të errët klasike, provoni “burnt umber”, një bakër i ngrohtë, por i zbutur. Ndryshe nga të kuqet e forta që kemi parë vitet e fundit, ky ton është më i butë dhe shumë më i lehtë për t’u integruar në një look natyral./mxh
