Për dekada me radhë, mjeku neurolog Dr. David Dodick trajtoi pacientë që mbërrinin në spital pasi dëmtimet ishin shfaqur tashmë: humbje kujtese, goditje në tru apo probleme të tjera neurologjike. Por me kalimin e viteve, ai kuptoi një të vërtetë të rëndësishme: shumë prej këtyre sëmundjeve kishin nisur të zhvilloheshin shumë kohë përpara se pacientët të kërkonin ndihmë mjekësore.
Kjo e shtyu neurologun, pas më shumë se 30 vitesh karrierë në Mayo Clinic, të fokusohej te mjekësia parandaluese dhe kërkimi mbi jetëgjatësinë. Sot, si drejtues shkencor dhe mjekësor në Atria Health and Research Institute, Dodick studion mënyrat se si zakonet e përditshme mund të ndihmojnë në vonimin e sëmundjeve kronike si demenca dhe problemet kardiovaskulare.
Sipas tij, kujdesi për trurin nuk mund të ndahet nga kujdesi për pjesën tjetër të trupit.
“Për të mbrojtur trurin, duhet të mbrosh pjesën tjetër të trupit”, shprehet Dodick, duke theksuar se shëndeti i trurit lidhet ngushtë me gjumin, aktivitetin fizik, ushqimin, menaxhimin e stresit dhe marrëdhëniet sociale.
Ushtrimi fizik: “ilaçi” më i mirë për jetëgjatësinë
Një nga shtyllat kryesore të rutinës së neurologut është aktiviteti fizik. Ai rekomandon të paktën 150 minuta ushtrime në javë me intensitet mesatar, të njohura si “zone-two exercise”, ku trupi punon, por personi mund të vazhdojë një bisedë.
Dodick kombinon ushtrimet aerobike me stërvitjen e forcës, pasi me kalimin e moshës humbja e masës muskulore lidhet jo vetëm me dobësimin fizik, por edhe me shëndetin e trurit dhe metabolizmin.
“Ushtrimi është receta më e mirë që mund të shkruaj dhe receta më e mirë që mund të ndiqni”, thotë ai.
Gjumi dhe truri, një lidhje që nuk mund të anashkalohet
Për neurologun, gjumi cilësor është i panegociueshëm. Ai thekson se pushimi i mjaftueshëm ndihmon në proceset e riparimit të trurit dhe në ruajtjen e funksioneve njohëse.
Përveç kohëzgjatjes së gjumit, Dodick rekomandon edhe ushtrime mendore, pasi truri, sipas tij, përfiton kur sfidohet vazhdimisht.
Të mësosh një gjuhë të re, një instrument muzikor apo të praktikosh aktivitete që kombinojnë lëvizjen me përqendrimin, si kërcimi apo boksi, mund të ndihmojnë në ruajtjen e fleksibilitetit të trurit.
Dieta MIND, ushqimet që mbështesin trurin
Në përditshmërinë e tij ushqimore, Dodick ndjek parimet e dietës MIND, një kombinim i dietës mesdhetare dhe asaj DASH, e cila është studiuar për lidhjen me shëndetin e trurit.
Kjo dietë përfshin:
- perime, veçanërisht ato me gjethe jeshile;
- fruta;
- bishtajore dhe fasule;
- peshk ose mish shpendësh;
- arra;
- vaj ulliri.
Në të njëjtën kohë, neurologu shmang ushqimet shumë të përpunuara dhe konsumimin e tepërt të alkoolit.
Sipas studimeve të mëparshme, respektimi i kësaj diete lidhet me një ulje të rrezikut për zhvillimin e demencës, veçanërisht kur ndiqet në mënyrë të vazhdueshme.
Menaxhimi i stresit dhe lidhjet sociale
Një tjetër element që Dodick e konsideron thelbësor është shëndeti emocional. Ai praktikon meditimin, ushtrimet e frymëmarrjes dhe përdor teknika biofeedback për të kontrolluar reagimin e trupit ndaj stresit.
Por përveç qetësimit individual, neurologu thekson rëndësinë e lidhjeve sociale. Ai kalon kohë me familjen, takohet me miqtë, bën shëtitje me bashkëshorten dhe ruan komunikimin e vazhdueshëm me njerëzit e afërt.
Sipas tij, izolimi social është një faktor që mund të ndikojë negativisht në shëndetin afatgjatë./ad
