Kur flitet për Kupën e Botës në futboll, vëmendja zakonisht përqendrohet te golat, yjet e fushës dhe trofeu i madh.
Megjithatë, prapaskenat financiare të këtij eventi janë po aq magjepsëse dhe shpeshherë tronditëse. Sipas të dhënave të grumbulluara nga agjenci dhe institute prestigjioze si Statista, Scribed, beIN Sports dhe RankingRoyals, kostot e organizimit të këtij kompeticioni kanë njohur një rritje të frikshme përgjatë tri dekadave të fundit.
Në krye të listës qëndron pa asnjë rival Katari, ndërsa në kahun tjetër, SHBA-ja mban rekordin historik për menaxhimin më ekonomik, një strategji që synon ta përsërisë edhe në Botërorin e këtij viti.
Renditja: Kostot e organizimit të Kupave të Botës në dekadat e fundit
Më poshtë paraqitet lista e investimeve të bëra nga vendet pritëse, e renditur nga shpenzimet më të larta deri tek ato më minimalet:
| Renditja | Vendi Organizator (Viti) | Kostoja e Organizimit |
| 1 | 🇶🇦 Katari (2022) | 210 miliardë dollarë |
| 2 | 🇺🇸🇲🇽🇨🇦 SHBA, Meksikë & Kanada (2026) | 14 miliardë dollarë (e parashikuar) |
| 3 | 🇧🇷 Brazili (2014) | 12 miliardë dollarë |
| 4 | 🇷🇺 Rusia (2018) | 11.6 miliardë dollarë |
| 5 | 🇯🇵🇰🇷 Japoni & Kore e Jugut (2002) | 7.0 miliardë dollarë |
| 6 | 🇮🇹 Italia (1990) | 4.4 miliardë dollarë |
| 7 | 🇩🇪 Gjermania (2006) | 4.3 miliardë dollarë |
| 8 | 🇿🇦 Afrika e Jugut (2010) | 3.8 miliardë dollarë |
| 9 | 🇫🇷 Franca (1998) | 2.3 miliardë dollarë |
| 10 | 🇺🇸 SHBA (1994) | 0.5 miliardë dollarë |
Katari 2022: Botërori që preku “stratosferën” financiare
Edicioni i vitit 2022 në Katar mban zyrtarisht titullin e Kupës së Botës më të shtrenjtë në historinë e njerëzimit. Shifra prej 210 miliardë dollarësh la pas çdo lloj imagjinate.
Ky buxhet gjigant nuk shkoi vetëm për topin e futbollit apo fushat e blerta. Pasi fitoi të drejtën e organizimit, shtetit të Gjirit iu desh të ndërtonte pothuajse gjithçka nga e para. Paratë u investuan në:
- Ndërtimin e stadiumeve ultra-moderne me sisteme klimatizimi.
- Një rrjet krejtësisht të ri metroje dhe autostradash.
- Zgjerimin e aeroporteve, ndërtimin e hoteleve luksoze dhe madje krijimin e qyteteve të reja të tëra si Lusail.
SHBA 1994 dhe 2026: Arti i kursimit dhe menaxhimit inteligjent
Në skajin tjetër të tabelës pozicionohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Botërori i vitit 1994 mbetet një nga më të lirët dhe më fitimprurësit në histori, me një kosto prej vetëm 500 milionë dollarësh. Arsyeja? SHBA-ja nuk pati nevojë të ndërtonte impiante të reja, pasi përdori stadiumet gjigante tashmë ekzistuese të NFL-së (futbollit amerikan) dhe universitetet.
Të njëjtën strategji po ndjekin edhe për edicionin e vitit 2026. Ndonëse ky është Botërori më i madh në histori, i shtrirë në tri shtete (SHBA, Meksikë, Kanada) dhe me një numër rekord skuadrash, kostoja e parashikuar është vetëm 14 miliardë dollarë. Për shkak të infrastrukturës së fuqishme që këto vende posedojnë, shpenzimet mendohet të jenë sa një e pesëmbëdhjeta e asaj që shpenzoi Katari, duke dëshmuar se madhështia e një eventi nuk varet gjithmonë nga shpenzimet marramendëse.
