Nga Leonard Veizi
Mëngjesi i 9 gushtit 1945 nisi si një agim lufte, në një botë të konsumuar deri në palcë nga gjaku. Por përfundoi si një ndarje fatale në historinë e njerëzimit: ndarja mes njeriut që luftonte për të mbijetuar dhe njeriut që mësoi si ta zhdukte veten. Kur bomba e plutoniumit, e pagëzuar me cinizmin e ftohtë ushtarak “Fat Man”, u shkëput nga barku i bombarduesit B-29 Bockscar, objektivi fillestar nuk ishte Nagasaki. Ishte Kokura. Ishte moti i keq, dhe retë e dendura mbi Kokura i dhanë Nagasakit fatin e kobshëm të hyjë në histori. Në orën 11:02, mbi qytetin portual, industrial, por mbi të gjitha njerëzor, shkenca e vënë në shërbim të politikës kaloi përfundimisht kufirin: nga mjet mbrojtjeje, në instrument të zhdukjes totale. Numri zyrtar – rreth 75.000 viktima deri në fund të vitit 1945 – mbetet një statistikë e ngrirë. Një eufemizëm burokratik që nuk do të arrijë kurrë të tregojë nënën që mban foshnjën, nxënësit në oborrin e shkollës, familjen rreth tryezës, të shkrumbuar në një sekondë dritë më të ndritshme se dielli…
…Për të kuptuar 9 gushtin, duhet kthyer tri ditë pas.
Më 6 gusht 1945, nga pista e ishullit Tinian në Paqësor u ngrit një tjetër B-29, “Enola Gay”, nën komandën e kolonelit Paul Tibbets, komandantit të Grupit 509. Fluturoi ulët, me pilot automatik, për të kursyer karburant, dhe më pas u ngjit në 9.500 metra drejt objektivit: Hiroshima.
Në orën 08:15, me kohën lokale, dera e bombave u hap. “Little Boy”, bomba me uranium, u lëshua. 43 sekonda më vonë, 600 metra mbi qytet, qielli u ça. Brenda pak minutash, 9 nga 10 njerëz në rrezen e shpërthimit ishin të vdekur. Ishte zbatimi i “Projektit Manhattan”, dhe hera e parë – por jo e fundit për atë javë – që njeriu përdori armën bërthamore në luftë.
Teknologjia me formën e katastrofës
Gabimi më i madh se si i diskutojmë sot armët bërthamore është se i kemi reduktuar në zhargon teknik: kilotonë, megatonë, koka bërthamore, triada strategjike.
Një armë bërthamore nuk është një bombë konvencionale, vetëm më e madhe. Është një simfoni e përkryer dhe perverse shkatërrimi që bashkon në një çast tre ferrë: nxehtësinë ekstreme që shkrin gjithçka, valën goditëse që rrafshon qytetet dhe rrezatimin jonizues.
Ky i fundit është tipari më makabër. Një vrasës pa ngjyrë, pa erë dhe pa zhurmë, që nuk mbaron kur tymi shpërndahet. Ai futet në ADN, ndryshon kodin e jetës, mbjell kancerin dhe vdekjen me dekada vonesë. Nagasaki ishte prova e parë, brutale, se njeriu kishte krijuar një fuqi që e tejkalonte përfundimisht aftësinë e tij morale dhe politike për ta kontrolluar.
A mund të ketë fitore mbi gërmadha bërthamore?
Nga rrënojat e Nagasakit tek paranoja e Luftës së Ftohtë, e nga aty tek doktrinat e sotme të “parandalimit të ndërsjellë”, pyetja e lënë pezull në gushtin e vitit 1945 mbetet po aq urgjente.
Sa herë mund ta mbajë njerëzimi gishtin mbi një këmbëz që nuk mund të shkrepet pa shkaktuar një reaksion zinxhir vetëvrasës?
Sot, kur kancelaritë fluturojnë me lehtësi terma si “aset strategjik”, “kapacitet goditës i dytë” apo “parandalim i besueshëm”, harrojnë qëllimisht të vërtetën themelore: pas çdo akronimi ushtarak fshihet mishi i djegur i njeriut. Pas çdo butoni bërthamor fshihet një Hiroshima dhe një Nagasaki në pritje.
9 Gushti nuk është një datë për t’u shënuar me rreth të zi në kalendarët e historisë. Është alarmi etik i përjetshëm i shekullit bërthamor. Është kujtesa se çdo luftë që kërkon zhdukjen e një qyteti për të fituar paqen, e ka humbur tashmë paqen dhe kuptimin njerëzor.
Hija e “Fat Man” mbi Nagasaki vazhdon të bjerë, ende, mbi të gjitha kryeqytetet e botës.
